Mbi 40 tonë mish i konfiskuar nga AUV brenda tre muajve, ky është lloji i mishit që konfiskohet më së shumti

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 14:51
Mbi 40 tonë mish i konfiskuar nga AUV brenda tre muajve, ky është lloji i mishit që konfiskohet më së shumti

Raste të shumta janë raportuar në vitin e kaluar, por edhe në këtë tre mujorësh për konfiskimin dhe asgjësimin e mishit anembanë vendit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjegjësisht sektori i inspektoratit veterinar ka konfiskuar dhe asgjësuar mbi 40 kilogramë mish nga janari deri në mars të këtij viti.

“Nga Agjencia e Ushqimit dhe veterinarisë gjegjësisht, sektori i inspektoratit veterinar janë konfiskuar dhe asgjësuar gjithsej 41,841 kg mish statistikat janë nga 1 janari deri me tani.”, u tha në përgjigjen e AUV.

E sipas zëdhënësit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, asgjësimi më i madh i produkteve të mishit është kryer në rajonin e Pejës.

Sipas AUV-it, rastet ku më së shumti bëhet konfiskimi dhe asgjësimi i mishit ka të bëjë me shitjen e mishit pa dokumentacion certifikate të therjes.

“Si raste më tepër kemi të bëjmë me konfiskim të mishit të freskët i cili është i ekspozuar ne treg për shitje pa dokumentacion certifikate therje. Dokument i cili dëshmon se produktet janë kontrolluar nga inspektoret e autorizuar në thertore, para therjes-gjatë therjes dhe pastherjes.”, tha zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Poashtu sipas tij ka raste që produktet nuk janë ruajtur në kushte adekuate, gjë e cila ka çuar deri tek konfiskimi dhe asgjësimi i këtyre produkteve.

“Pastaj kemi raste që produktet nuk janë ruajtur në kushte adekuate dhe më pak raste të konfiskimit të produkteve me afat të skaduar.”, shtoi ai.

Sipas Thaçit, mishi i cili më shpesh konfiskohet është mishi i freskët i gjedhit, për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës.

E një aksion i fundit i realizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë çoi në konfiskimin dhe asgjësimin e mbi 38 mijë kilogramëve të mallit të dëmtuar.

Sipas zëdhënësit të AUV-it inspektimet të cilat kryhen nga inspektorët përkatës janë të vazhdueshme, e që përgjatë këtij viti janë kryer gjithsej 186 inspektime.

“Në aksionin e fundit janë konfiskuar dhe asgjësuar 38,499 kg si mall i dëmtuar dhe me afat të skaduar. Inspektimet janë të vazhdueshme në bazë të planit të kontrolleve zyrtare, vetëm në vitin 2022 janë kryer gjithsej 186 inspektime të marketeve për kontroll të produkteve finale të ekspozuara për shitje.”,përfundoi ai.

Qytetarë të shumtë ndër vite kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me produktet e mishit në shumë raste të dala afati të cilat shiten edhe në marketet e ndryshme.

Shumë prej tyre kanë zgjedhur forma të ndryshme për të raportuar këto raste. E përpos pranisë së mishit të prishur apo të skaduar nga afati, qytetarët shpesh kanë hasur edhe në produkte të tjera ushqimore të cilat nuk kishin afat, e të cilat mund të çojnë edhe deri në helmimin e tyre.

(Kosova Sot Online)