Pjesëmarrja e kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi, BE: S’ka vend në Europë për mohim të gjenocidit

  • E.K /
  • 31 March 2022 - 14:16
Pjesëmarrja e kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi, BE: S’ka vend në Europë për mohim të gjenocidit

Pas raportimeve nga disa media se kriminelët e dënuar për krime lufte në Serbi po marrin pjesë në fushatë zgjedhore, Bashkimi Europian ka bërë sërish thirrje që të shmanget mohimi i gjenocidit, duke shtuar se një gjë e tillë nuk ka vend në Europë.

Në një konferencë për media, zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, duke u përgjigjur në pyetjen për pjesëmarrjen e kriminelëve serbë në fushatë zgjedhore, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranojnë atë që ka ndodhur dhe mos glorifikojnë krimin.

“Nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat më themelore europiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme. BE-ja ka qëndrim të qartë parimor për nevojën për pajtim dhe qëndrime ndaj ngjarjeve të luftës. Procesi zgjedhor është në vazhdim e sipër dhe ne përsërisim rëndësinë e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe kredibile, të zhvilluara në përputhje me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare”, tha ajo.

Ajo shtoi se liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të japin shembull duke pranuar atë që ka ndodhur, të respektojnë viktimat dhe në mënyrë të sinqertë të promovojnë pajtimin duke u përballur me bazën e urrejtjes që çuan deri te gjenocidi.

Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi e ka ngritur e çështjen e pjesëmarrjes së kriminelëve në fushatë zgjedhore.

Sipas kësaj organizate, Sasha Cvjetan, i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, ka marrë pjesë në një manifestim në Srebrenicë krahas ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandar Vulin. Fondi e ka quajtur të papranueshme praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në manifestime ku marrin pjesë persona që janë dënuar për krime lufte.

(Kosova Sot Online)