Haradinaj kërkon urgjentisht rishikimin e buxhetit të këtij viti, ia propozon Qeverisë disa masa

  • E.K /
  • 04 April 2022 - 13:25
Haradinaj kërkon urgjentisht rishikimin e buxhetit të këtij viti, ia propozon Qeverisë disa masa

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon rishikim urgjent të buxhetit të vendit për këtë vit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha në një konferencë për media se ekzistojnë praktika të tilla të rishikimit të buxhetit përpara mesit të vitit.

Haradinaj tha se AAK-ja e ka analizuar situatën, dhe sipas tyre “kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet”.

Kreu i AAK-së përmendi inflacionin dhe rritjen e çmimeve, ndërsa përmendi disa propozime për Qeverinë në lidhje me masat që duhet të ndërmerren.

“Ne i propozojmë Qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjë në krizën financiare në vend. Ekziston mundësia dhe është reale heqja e TVSH-së për artikujt bazë ushqimorë për 3 muaj dhe për t’u rivlerësuar”, tha ai.

Po ashtu, Haradinaj tha se edhe çështja e akcizës për naftën duhet të vlerësohet nga Ekzekutivi, pasi tha se ajo ndikon në rritjen e çmimit të naftës dhe të produkteve tjera.

(Kosova Sot Online)