“Gati t’i mbajmë armët amerikane bërthamore”, Kremlini i kthehet Polonisë: Po i rrisni tensionet

  • E.K /
  • 04 April 2022 - 14:16
“Gati t’i mbajmë armët amerikane bërthamore”, Kremlini i kthehet Polonisë: Po i rrisni tensionet

Kremlini ka reaguar sot pas deklaratave të bëra nga Polonia të dielën rreth vendosjes së armëve bërthamore amerikane në territorin e tyre. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka bërë të ditur se vendi i tij i dënon deklaratat e bëra nga Varshava.

Kujtojmë se në një intervistë të botuar të dielën në edicionin e gazetës gjermane “Die Welt”, zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski tha se Polonia do të ishte e gatshme të presë kokat bërthamore të SHBA-së dhe se mbështeste forcimin e trupave të vendit në krahun lindor të NATO-s.

“Nëse amerikanët do të na kërkonin të mbanim armët bërthamore të SHBA në Poloni, ne do të ishim të hapur. Kjo do të forconte ndjeshëm parandalimin ndaj Moskës,” tha Kaczynski.

Zyrtari polak sqaroi megjithatë se vendosja e armëve bërthamore të SHBA-ve në Poloni nuk është diskutuar ende, por shtoi se “kjo mund të ndryshojë së shpejti”. 

(Kosova Sot Online)