Kurti: 18 mijë serbë nga Kosova kanë shkuar drejt Serbisë gjatë së dielës

  • A.P /
  • 04 April 2022 - 20:03
Kurti: 18 mijë serbë nga Kosova kanë shkuar drejt Serbisë gjatë së dielës

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se mbi 18 mijë serbë nga Kosova kanë shkuar drejt Serbisë gjatë së dielës, ndërsa prej tyre mbi 15 mijë kanë qenë votues. Sipas tij, as 20% e serbëve të Kosovës nuk kanë votuar. Për zgjedhjet në Serbi, shefi i ekzekutivit thotë se kanë vetëm datë pasi fituesi dihet për shkak të mungesës së demokracisë. Kurti për kp tha se shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu është bërë një padrejtësi e madhe dhe rezultati jo i mirë në zgjedhje mund të jetë ndikuar nga pasivizimi i mbi 6 mijë adresave. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të tregohet me e ashpër ndaj Serbisë që nuk po dënon as invzionin rus në Ukrainë. 

Kreu i qeverisë vlerësoi se situata të dielën e 3 prillit ishte paqësore ndërsa qytetarët serbë me shtetësi të Kosovës shkuan në Serbi për votuar. Ai tha se kjo dëshmon se Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Ai falënderoi Policinë e Kosovës për profesionalizëm dhe efikasitet në menaxhimin e situatës që nisi me organizimin e autobusëve nëpër komunat me shumicë serbë e deri në kthimin e tyre përsëri në Republikën e Kosovës.

“Zgjedhjet e Serbisë nuk u mbajtën dje në territorin e Republikës së Kosovës për shkak se nuk e kishim një marrëveshje paraprake siç e kemi kërkuar. Serbia i ka mbajtur zgjedhjet me këtë rast i falënderoj Policinë e Kosovës për profesionalizëm dhe efikasitet. Por gjithashtu edhe qytetarët serbë që kanë edhe shtetësi të Serbisë përveçse të Kosovës të cilët ishin të qetë teksa shkuan në katër komunat në Serbi për të votuar atje. Gjithçka ishte paqësore. Kjo dëshmoi që Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim. Në bazë të të dhënave që kam marrë dje deri në orët e mbrëmjes mbi 18 mijë qytetarë kanë shkuar nga Kosova në Serbi. Prej tyre llogariten që 15 mijë kanë qenë votues për zgjedhjet në Serbi. Kur kemi parasysh që gjithsej serbë në Kosovë janë rreth 130 mijë dhe duke pasur njëkohësisht parasysh që jo të gjithë kanë të drejtë vote, dalja e tyre në zgjedhjet e Serbisë ka qenë gjithsesi më e ulët sesa 20 për qind. Kanë shkuar rreth 170 autobusë dhe minibus por edhe shumë të tjerë me vetura të tyre private”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)