Kur dhe si do të transferohen të burgosurit e Danimarkës në Kosovë

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 08:18
Kur dhe si do të transferohen të burgosurit e Danimarkës në Kosovë

Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit mund të nënshkruhet së shpejti, por transferimi i tyre s’do të bëhet këtë vit. Për muajt kur do të transferohen, mënyrën e transferit dhe profilet e të dënuarve, janë deklaruar nga Ministria e Drejtësisë.

Në këmbim të 210 milionë eurove, Kosova pranoi që t’i lëshojë qeli burgu me qira Danimarkës, për dhjetë vitet e ardhshme.

Kërkesa e Danimarkës ishte edhe për shtetet e tjera, por Kosova ishte e para që iu përgjigj.

Marrëveshja për 300 qeli burgu, u nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, me anë të një – siҫ u tha – “letër qëllimi”.

Por, edhe pse janë bërë rreth katër muaj nga ajo ditë, marrëveshja ende s’është finalizuar.

Për kohën kur pritet të nënshkruhet marrëveshja dhe aritjen e të burgosurve në Kosovë, kanë folur nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Zyra për Komunikim Publik e MD’së i kanë thënë Express se marrëveshja mes dy shteteve pritet të nënshkruhet së shpejti.

Por, pastaj procedura derisa të ratifikohet marrëveshje në dy Parlamentet thonë se mund të marrë deri në 3 muaj kohë.

“Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për transferimin e të burgosurve pritet të nënshkruhet së shpejti, ndërsa pas nënshkrimit do të kalojë në procedurën e ratifikimit në Parlamentet e të dy vendeve dhe ky proces mund të marrë rreth 3 muaj kohë”, kanë deklaruar nga Ministria.

Të burgosurit e Danimarkës pritet të arrijnë në Kosovë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Transferi i tyre do të bëhet me Aeroplan dhe procesi do të realizohet e mbikëqyret nga Danimarka.

Të dënuarit kanë profile të ndryshme kriminale, ndërsa disa kategori të veprave penale si më të rrezikshme apo të ndjeshme, thonë se janë përjashtuar nga transferi.

“Transferi i të burgosurve nga Danimarka në Kosovë varet nga finalizimi i Marrëveshjes, ndërsa presim që kjo të ndodhë në muajt e parë të vitit 2023. Transferi ose ardhja e tyre planifikohet të bëhet përmes rrugëve ajrore (me aeroplan). Transferi i tyre nga Danimarka në aeroporti ndërkombëtar të Prishtinës Kosovë realizohet dhe mbikëqyret nga pala daneze”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Në Burgun e Gjilanit do të bëhen edhe renovime për ta përshtatur objektin sipas rregullave dhe standardeve në burgjet daneze.

“Janë bërë vlerësimet e nevoja në infrastrukturën e banimit në Burgun e Gjilanit dhe deri në fund të vitit planifikohet renovimi dhe përshtatja e ambienteve sipas rregullave dhe standardeve në burgjet daneze”, kanë deklaruar nga MD’ja.

Si do të menaxhohen qelitë që merren me qira?

Kur ishte nënshkruar letër-qëllimi, Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerp, kishte thënë se qendrat e paraburgimit që merren me qira nga Kosova do të menaxhohen sipas ligjeve të Danimarkës.

“Kemi kërkuar ndihmë nga disa vende për ta zgjidhur këtë problem, por Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës sonë dhe është angazhuar pozitivisht më pas në dialog për këtë çështje.

Menaxhimi do të jetë nën lidershipin e autoriteteve të Danimarkës, por do të ketë trajnim edhe për stafin vendas. Danimarka do të respektojë të gjitha ligjet sa i përket sistemimit dhe trajtimit të të burgosurve”, kishte thënë Hakkerup.

“Është një marrëveshje nga e cila do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidhë në një masë të madhe problemet, me të cilat përballemi ne në vendin tonë”, kishte deklaruar ministry danez.

210 milionë euro përfitim nga marrëveshja

Për lëshimin me qira të 300 qelive për të burgosur, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro.

Siç kishte njoftuar MD’ja, të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.

“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme”, thuhet në njoftim.

Kjo marrëveshje parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

“Nga ky kompenzim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi. Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të denuarëve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”, kishte njoftuar Ministria.

Ndryshe, gazeta gjermanishtfolëse zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung”, për këtë marrëveshje kishte thënë se ka zëra të vëzhguesve politikë në Kosovë, që thonë, se Prishtina me gjasë ka marrë edhe mbështetjen e Kopenhagës për liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot Online)