Kurti kujton sulmin në veri të Mitrovicës, ku u vra Selver Haradinaj: Shpresojmë të vihen para drejtësisë, vrasësit apo vrasësi

  • E.K /
  • 08 April 2022 - 09:12
Kurti kujton sulmin në veri të Mitrovicës, ku u vra Selver Haradinaj: Shpresojmë të vihen para drejtësisë, vrasësit apo vrasësi

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin e para 10 vitesh me eksploziv te “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, ku u vra Selver Haradinaj, e mbetën të plagosur gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Kurti ka thënë se autoritetet e prokurorisë dhe të policisë e kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve.

I pari i Qeverisë ka thënë se ka shpresë e besim se vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt do të vihen para drejtësisë, meqenëse, siç thotë, institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre.

“Sot ne e kujtojmë me dhimbje e pikëllim Selver Haradinajn, dhe kërkojmë e angazhohemi për drejtësi. Autoritetet e prokurorisë dhe të policisë kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve.

Kohët e fundit institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre. Prandaj kemi shpresë e besim që do të vihen para drejtësisë edhe vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt.

Përmes drejtësisë dhe dënimit të kriminelëve Kosovën do ta bëjmë vend demokratik e prosperues ku të gjithë qytetarët jetojnë e punojnë të sigurt pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare, gjinore e sociale”, ka shkruar Kurti.

(Kosova Sot Online)