‘Puçi’ në Luginë, Kamberi analizon ndërrimin e kryetarëve brenda ditës në Preshevë

  • A.P /
  • 11 April 2022 - 17:52
‘Puçi’ në Luginë, Kamberi analizon ndërrimin e kryetarëve brenda ditës në Preshevë

Ardita Sinani u shkarkua sot nga pozita e kryetares së Komunës së Preshevës dhe pak minuta më pas në të u ul sërish Shqiprim Arifi. Belgzim Kamberi qëndroi sot në Preshevë dhe nga afër e sheh si degradim të skenës politike në Luginë ndërrimin e shpejtë të pushtetit lokal atje.

Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” tha  se Qeveria e Kosovës duhet ta marrë më seriozisht çështjen e Luginës së Preshevës. Ai beson se shqiptarët nuk do të kishin mbetur pa asnjë deputet në Kuvendin e Serbisë, po të ishte marrë ekzekutivi kosovar aktivisht me unifikimin përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginë, të cilën “nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë”.

Kryeministri Albin Kurti u mor sot me këtë çështje, por si duket, me vonesë. Pak pasi i priti në zyrën e tij përfaqësuesit politikë të Luginës, kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu (të cilët e refuzuan ftesën për takim), u bashkuan në Kuvendin Komunal të Preshevës për t’i bërë përgatitjet e fundit për rrëzimin e Ardita Sinanit nga karrigia e kryetares. Kjo ndodhi.

Kurti paraprakisht kërkoi unitet duke e cilësuar shkarkimin e Ardita Sinanit si synim të shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve atje përmes acarimit me njëri-tjetrin.

“Është pjesë e një degradimi më të përgjithshëm. Skena politike është duke u degraduar”, thotë Kamberi. “Nuk janë bërë dy javë që kanë dështuar ne zgjedhjet parlamentare, tash kjo po vazhdon edhe me krizat me pushtetet lokale”.

Kamberi e quan hakmarrje veprimin e Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut.

“Në Preshevë kemi të bëjmë me ndryshim pushteti nga dy persona që kanë deshtuar në zgjedhje parlamentare. S’kanë arritur të bëhen deputetë dhe janë hakmarrë”.

Sipas tij, shqiptarët dështuan të organizohen dhe kjo duhet të shërbejë si sinjal për Qeverinë e Kosovës.

“Ajo që u pa sot është që dy inicuesit, ata dy protagonistët nuk e kane perfill Albin Kurtin”, tha Kamberi, i pyetur për të komentuar ndikimin që e pati kryeministri i Kosovës në parandalimin e zhvillimeve të sotme në Preshevë.

“U vrejt që ata nuk i përfillën udhezimet, as nuk i shkuan ne takim”, shtoi ai.

Kamberi e mirëpret interesimin e Kurtit dhe përpjekjen e tij për ta ndalur “luftën” mes përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Luginë, por thotë se “Qeveria e Kosovës është vonuar”.

Ai pret një kontribut konkret nga Shqipëria dhe Kosova, i cili thotë se “ka filluar të jetë urgjent”. Kamberi propozoi hartimin e një plani të veçantë shtetëror për Luginën e Preshevës dhe përmes saj të shihet politika e shqiptarëve në Serbi.

“Po ta kishim pasë një dinamikë të tillë, ne nuk do t’i kishim këto pasoja”, beson ai. “Herën e fundit kur Shqipëria dhe Kosova u morën me Luginën, para dy vitesh, kishte një liste të perbashket”.

Kamberi theksoi edhe mungesën e një koordinatori që do të mund të caktohej për t’u marrë më intensivisht me zhvillimet në Luginë.

“Ka një vit qe kjo qeveri ka ardhë në detyrë dhe ende nuk i ka bërë këto veprime që i përmenda”, tha ai.

“Ende nuk e ka funksionalizu Zyrën e Luginës, të cilën e ka themelu Z. Hoti”, tha Kamberi, duke iu referuar Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës të themeluar nga Qeveria Hoti në vitin 2020.

Me këto masa, organizimi i shqiptarëve do ta ndiente dorën e Qeverisë së Kosovës, sipas Kamberit.

“Do të kishte pasur bashkërendim. Duke i lënë shqiptarët e Luginës vetë, atëherë këtu ka asi lloj interesash personale që dalin dhe po e rrezikojnë organizimin politik”, tha ai.

Zhvillimet e fundit në Preshevë, Kamberi thotë se mund të reflektohen edhe në Bujanoc.

(Kosova Sot Online)