Qeveria bën thirrje që t’i kërkoni kuponët fiskal nga bizneset

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 15:07
Qeveria bën thirrje që t’i kërkoni kuponët fiskal nga bizneset

Qeveria e Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës. Kryeministri Albin Kurti, ndër tjera, hapi temën e kuponëve fiskalë.

“Vitin e kaluar të hyrat buxhetore u rritën për 1/3. Këtë tremujor, të hyrat përveçse janë më të larta se sa vitin e kaluar – afër 17%, edhe një herë janë më të larta se sa parashikimet e vet institucioneve. Këto janë para të qytetarëve, të cilat ne po ua kthejmë qytetarëve kur ata kanë nevojë, sepse ata kanë nevojë. Prandaj është tejet e rëndësishme, që të përsërisim thirrjen që të blejmë sa më shumë produkte vendore dhe të kërkojmë kuponët fiskalë për produktet dhe shërbimet e paguara”, bëri thirrje Kurti.

Sipas ligjit në Kosovë, kuponi duhet të lëshohet nga ofruesi i shërbimeve në çdo rast kur arkëtohen pagesa me para në dorë.

Kuponi fiskal është dëshmi e shitjes së mallrave të caktuara dhe ai përfshin edhe tatimin që duhet paguar për mallrat e shitura.

Në rast të moslëshimit të kuponit fiskal, shteti mbetet pa ato taksa.

Taksa për shumicën e mallrave në Kosovë është 18 për qind.

Nga mbi 213,000 biznese, sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, vetëm mbi 37 mijë janë të fiskalizuara, sipas ATK-së.

Bazuar në këto të dhëna, shumë biznese vazhdojnë t’u ikin obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Arkat fiskale në Kosovë, kanë hyrë në treg në vitin 2010.

(Kosova Sot Online)