Kërcënime e kufizime serioze, si u përkeqësua gjendja e medias nën Kurtin e Osmanin

  • A.P /
  • 13 April 2022 - 17:31
Kërcënime e kufizime serioze, si u përkeqësua gjendja e medias nën Kurtin e Osmanin

Mediat dhe gazetarët kanë qenë halë në sy për pushtetin e ri të instaluar në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Grupe të ndryshme në rrjete sociale që kontrollohen nga presona të afërt apo edhe familjarë të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje shpesh herë kanë organizuar fushata denigruese kundër mediave të ndryshme dhe kundër gazetarëve.

Pa i sulmuar mediat s’kanë qëndruar as nga zyra për zëdhënie e Lëvizjes Vetëvendosje e as nga kabineti i Vjosa Osmanit.

Duket se një klimë e tillë e krijuar përgjatë vitit 2021, ka ndikuar edhe në vlerësimin që amerikanët kanë bërë për Kosovën sa i përket lirisë së mediave në Kosovë.  Nga Departamenti i Shtetit kanë vlerësuar se në Kosovë përgjatë vitit 2021 kanë ndodhur “kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”.

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ky vlerësim për vitin 2021, dallon nga i viteve paraprake, 2019 dhe 2020, ku s’përdorej termi “serioze”, por thuhej se kishte “kufizime të tepruara”.

Përveç kësaj, raporti i DASH-it për vitin 2021, vë në pah mbylljen e institucioneve dhe Qeverisë ndaj gazetarëve derisa theksohet se ka pasur edhe përpjekje nga zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare për të frikësuar përfaqësuesit e mediave.

Gjithashtu theksohet fakti se gazetarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht se me ligje garantohet qasja në dokumente publike.

“Kushtetuta dhe ligji parashikojnë lirinë e shprehjes, duke përfshirë shtypin dhe mediat e tjera. Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, raporte të  besueshme tregojnë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu minuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë akses në dokumente publike. Komisioni i Pavarur për Media rregullon frekuencat e transmetimit, lëshon licenca për transmetuesit publikë dhe privatë dhe përcakton politikat e transmetimit”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur shumëllojshmëri pikëpamjesh në përgjithësi pa kufizime, megjithatë theksohet se raportet gjejnë se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë dhe grupe fetare e individë të pakënaqur kanë bërë presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve apo reporterëve që të mos publikojnë histori apo materiale të caktuara.

“Liria e shprehjes për anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera, përfshirë mediat online: Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, vazhduan raportet se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin presion pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve që të mos publikonin histori ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në këtë pjesë.

Ndaj një vlerëimi të tillë të Departamentit të Shtetit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar me gjetjet kryesore të raportit të Departamentit të Shtetit.

(Kosova Sot Online)