Ankesa se s’po u ndahen paratë e bursave për shkencë studenteve, ministria jep sqarim

  • G.G /
  • 15 April 2022 - 14:41
Ankesa se s’po u ndahen paratë e bursave për shkencë studenteve, ministria jep sqarim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte vendosur që të ndajë bursa për vajzat/gratë që ishin regjistruar vjet për herë të parë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë apo matematikës (fushat STEM) në universitetet publike. Por, disa nga përfitueset e këtyre bursave, janë ankuar se ende s’iu kanë dalë mjetet e burses. Për arsyet, janë deklaruar nga MASHT’i.

Iliriana Pylla, zyrtare në këtë Ministri, i ka thënë Gazetës Express se shumica e përfitueseve i kanë marrë bursat.

Për përfitueset që ende s’iu kanë kaluar mjetet në xhirollogari thotë se arsye është mos dorëzimi i konfirmimit bankar me kohë në bazë të kërkesës në mënyrë zyrtare.

“Shumica e përfitueseve i kanë marrë bursat.  Arsyeja mos bartjes së një pjese të bursave STEM, për studentet vajza/gra është për shkak të mos dorëzimit të konfirmimit bankar me kohë në bazë të kërkesës në mënyrë zyrtare, pastaj gabim në xhirollogari bankare (kthimi i mjeteve)”, ka deklaruar Pylla.

Për studentet që s’iu kanë kaluar ende paratë në xhirollogari, Pylla thotë se kjo pritet të bëhet javën e ardhshme.

Por, shton se një pjesë e studentëve s’po përgjigjen në email-a dhe kështu s’po mund të kontaktojnë.

“Jemi duke i mbledhur të dhënat e sakta të konfirmimit bankar, numrin personal. Këtë gjë jemi duke e bërë përmes emailit dhe kontaktit me telefon, për shkak se nuk duam të lejojmë gabime dhe probleme gjatë bartjes së mjeteve.  Një pjesë e studenteve nuk po përgjigjen në email-a dhe nuk po kemi numër kontaktues. Jemi në fazën përfundimtare të mbledhjes së të dhënave, përveç atyre që nuk po përgjigjen. Shpresojmë se javën e ardhshme do ti përfundojmë bursat me ato studente të cilat i kanë dorëzuar të dhënat e duhura, për bartjen e mjeteve”, ka deklaruar ajo.

Vlera e kësaj burse është 1 mijë euro. Në fillim ishte paraparë të ndahen 1 mijë bursa, por pas ankesave, numri total i përfitueseve ka arritur në 1 mijë e 363.

“Vlera për një studente ( vajza/gra) është 1000 euro. Numri total i përfitueseve edhe pas ankesave është 1.363 studente”, thuhet në përgjigjet e Pyllës.

(Kosova Sot Online)