1298 mësimdhënës 'tepricë' nëpër shkollat e Kosovës

  • A.P /
  • 18 April 2022 - 15:57
1298 mësimdhënës 'tepricë' nëpër shkollat e Kosovës

109 nxënës nga klasa e parë e deri në të nëntën dhe 883 të tjerë të shkollave të mesme kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar. Kjo ka bërë që 1600 mësimdhënës të jenë më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit.

Ministria e Arsimit do t’i rekomandojë komunave që të kenë kujdes me zëvendësimin e mësimdhënësve që dalin në pension, duke risistemuar ata që aktualisht janë të punësuar.

Janë rreth 400-500 mësimdhënës të cilët gjatë vitit pensionohen, për të cilët edhe njohësit e fushës së arsimit, thonë se zgjidhja më e duhur do të ishte risistemimi i atyre që janë të inkuadruar në sistemin arsimor.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për kp, se edhe vitin e kaluar ka pasur tepricë të mësimdhënësve, por siç thotë ai, për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve duhet punuar me klasa të vogla.

“Është konstatuar se për këtë vit teprica është 1298 mësimdhënës dhe kjo është një situatë të cilën e kemi gjetur nëpër shkolla. Ndërkaq është e vërtetë se kjo tepricë vitin tjetër rritet për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve… Zakonisht në shkolla për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve punohet me klasa më të vogla, shembull nëse formohet një klasë me 30 nxënës, formohen dy klasë me nga 15 nxënës, dhe kjo pastaj bënë të mundur që ky numër i mësimdhënësve të mbetet në sistem”, theksoi Pupovci.

Pupovci ka folur edhe për adresimin e këtij problemi, duke thënë se që nga viti i ardhshëm do t’i kërkojnë komunave që të mos t’i zëvendësojnë mësimdhënësit e pensionuar pa një analizë të mirëfilltë.

“Duke filluar nga viti i ardhshëm, ne thjesht do t’iu kërkojmë komunave që të mos i zëvendësojnë pa një analizë të mirëfilltë mësimdhënësit, të cilët pensionohen, në mënyrë që të mos i dëmtoj ata që janë në sistem. Pastaj ideja është që të fillojë pagesa e orëve të kujdestarisë, ku tani llogaritet se me numër të orëve, rreth 447 mësimdhënës angazhohen me orar të plotë. Ata nuk mbajnë kujdestarinë me orar të plotë, mirëpo në këtë formë iu plotësohet norma njerëzve të cilët nuk e kanë normën, dhe një formë tjetër është ideja për futjen e menaxhmentit të mesëm nëpër shkolla, ku mësimdhënësit do të angazhohen në cilësinë e kryetarëve të aktiveve dhe një numër i orëve të tyre do t’iu dedikohen ushtrimit të funksionit të kryetarit të aktivit, pra edhe kjo do t’i prekë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve dhe në këtë mënyrë mund të arrihet një harmonizim në mes të numrit të nxënësve, i cili është në zvogëlim dhe numrit të mësimdhënësve, i cili është duke u ruajtur në nivelet e viteve të kaluara”, thotë Pupovci.

Ai thotë se nuk është e domosdoshme që mësimdhënësit që pensionohen gjatë vitit, të zëvendësohen me të rinj, pasi mund të bëhet riorganizimi i klasave.

“Rreth 400-500 mësimdhënës gjatë vitit pensionohen, pra nuk është e thënë që këta mësimdhënës të zëvendësohen me të rinj, në rastet e tilla kur mësimdhënësi pensionohet mund të bëhet edhe riorganizimi i klasave, dhe për këtë duhet të mendojnë edhe komunat. Pastaj këto funksionalitetet e reja në shkolla, siç janë ora e kujdestarisë, e kështu me radhë, bëjnë të mundur që mësimdhënësit të vazhdojnë punën por të ngarkohen me detyra të tjera të cilat nuk i kanë pasur ndoshta deri tani si detyra obligative dhe në këtë mënyrë arrihet njëfarë balanci”, vijon Pupovci.

Pupovci ka shtuar se sipas të gjitha projeksioneve të popullsisë, numri i nxënësve do të vazhdojë të zvogëlohet, dhe se mundësitë e punësimeve të reja në sistemimin e arsimit do të jenë të kufizuara.

“Sipas të gjitha projeksioneve të popullsisë, numri i nxënësve do të vazhdon të zvogëlohet dhe në një afat të gjatë duhet llogaritur se mundësitë e punësimeve të reja në sistemin e arsimit do të jenë relativisht të kufizuara, pra duhet të mbështetemi në këtë që me rastin e pensionimit, zëvendësimet të bëhen vetëm në ato raste kur ka nevojë”, tha ai.


(Kosova Sot Online)