Hajdari ankohet se po e shantazhojnë mediat, deputetët e pyesin pse ia ndau 4 mijë euro sekretarit

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 12:45
Hajdari ankohet se po e shantazhojnë mediat, deputetët e pyesin pse ia ndau 4 mijë euro sekretarit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar këtë të martë para deputetëve anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku ndër të tjera është pyetur nga deputeti i PDK-së Ferat Shala për financimin që ministrja e ka lejuar për shkollim të sekretarit të kësaj ministrie. Ajo e mohon se sekretarit i janë ndarë para për shkollim, thotë se për të u dhanë 4 mijë euro për trajnim profesional. E raportimet për të i quan shantazhe nga mediat. Sekretari u bë edhe shkaku që u ndërpre kjo mbledhje, pas tensioneve që u shkaktuan mes kryesuesit Shala dhe anëtarëve.

Ministrja Hajdari ka thënë se sekretarit i takon me Ligjin për Shërbyesit Civil që të avancohet profesionalisht.

“Edhe këtu, sekretari ka të drejtë për një trajnim, pra ai ka kërkuar një autorizim nga ana ime për t’u trajnuar që i takon me Ligjin për Shërbyesit Civil dhe unë duke u thirrur, tash se kam ligjin me vete, por është një klauzolë ku çdo shërbyes civil ka të drejtën për avancim profesional dhe ky ka aplikuar në trajnimin për menaxhimin e projekteve sa më kujtohet dhe unë ja kam aprovuar me plot besim sepse është trajnim, nëse ju aludoni në shkollimin e tij nuk janë paguar 12 mijë euro nga projekti, janë vetëfinancim nga ana e tij, ju mund t’i verifikoni faturat”, tha ajo në komision.

Më pas deputeti Shala i ka thënë pse mi dhënë 12 mijë euro, kur e ka në derë të zyrës me u trajnu te Qendra e Inovacionit dhe Teknologjisë në Universitetin e Prishtinës, falas.

Këtu, Hajdari tregon se nga shuma prej 12 mijë eurosh, 8 mijë euro janë vetëfinancim për master nga vetë sekretari, ndërsa 4 mijë euro janë ndarë për certifikim të trajnimi.

“Ne nuk ja imponojmë zyrtarit, 12 mijë euro nuk janë. Nga 12 mijë euro, 8 mijë euro janë vetëfinancim, 8 mijë euro i ka për programin e tij master, për vetëm certifikim të trajnimit që është zhvillim profesional, ai i ka 4 mijë euro. Ai ka aplikuar te ne për aprovim të certifikimit për trajnim dhe ka kërkuar nga kabineti të cilin ja kam aprovuar dhe është e drejtë e tij”, u shpreh ajo.

“Ai e ka sqaruar që brenda projektit janë komponentët për trajnime”, tha tutje.

Ajo kërkoi që të mos aludohet në shkollimin e tij.

“Mos aludoni në shkollimin e tij sepse po e thirrin gazetarët shkollim, po e thërras edhe unë sepse është vetëfinancim. Master programi i tij do të financohet nga vetë ai”, tha Hajdari.

Më pas në komision ministrja Hajdari u përgjigj edhe në pyetje të tjera, ku iu rikthye sërish temës së sekretarit, duke thënë se po “merr shantazhe nga mediat”.

“Ju lutem që të jeni sa më të sinqertë sepse unë po marrë shumë shantazhe nga mediat, jo edukimi, masteri, të gjitha këto, por këto nuk janë të vërteta, është një trajnim për aftësim profesional”, tha ajo.

Pas fjalimit të deputetes Mimoza Kusari Lila për mbrojtjen e sekretarit të kësaj ministrie, nisi përplasja ndërmjet anëtarëve të këtij komisioni, dhe kryetarit të saj, Ferat Shala.

Pas përplasjeve, me kërkesë të deputetes së VV-së, Mimoza Kusari Lila është ndërprerë mbledhja, me arsyetimin se tani nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala tha se mbledhja me këtë rend dite vazhdon një ditë tjetër.

(Kosova Sot Online)