Presidenti letonez: Kosova i përket Europës, nëse s’ka progres në dialog të integrohet në mënyra tjera

  • E.K /
  • 22 April 2022 - 13:14
Presidenti letonez: Kosova i përket Europës, nëse s’ka progres në dialog të integrohet në mënyra tjera

Për herë të parë Kosovën e ka vizituar një presidenti nga shteti baltik i Letonisë. Eglis Levits u mirëprit nga presidentja Vjosa Osmani, e cila në konferencën e përbashkët për media i kërkoi mbështetje Letonisë për anëtarësim në NATO, si vend anëtar i Aleancës.

Levits tha se shteti i tij mbështet Kosovën jo vetëm në anëtarësim në NATO, por në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke thënë se Kosova, si një shtet demokratik, i takon Europës.

Presidenti letonez, ndryshe nga qëndrimi i BE-së që dialogun Kosovë-Serbi e prezanton si rrugën e vetme e Kosovës për integrimin e saj, tha se nëse ky proces ngec, s’duhet ngecur edhe procesi integrues.

“Kam parë disa probleme të ndryshme rreth dialogut, shpresoj që ende këto bisedime do të përparojnë, por nëse nuk kemi një progres të madh, s’duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtime dhe raporte të tjera. Dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm, por edhe nëse s’ka progres, ka mënyra të tjera se si Kosova mund të integrohet edhe më tutje në kornizat europiane”.

Levtis tha se është me rëndësi që Kosova të anëtarësohet Këshillin e Europës dhe tha se do ta mirëprisnin aplikimin e saj. Po ashtu, ai tha se Letonia mbështet Kosovën në liberalizimin e vizave dhe shtoi se aktualisht nuk ka pengesa të arsyeshme që Kosovës të mos i jepet liberalizimi.

“Kosova i përket Europës dhe ne shpresojmë që edhe Kosova edhe Letonia do të përfundojnë në një integrim të plotë në të gjitha forumet dhe organizatat europiane”.

(Kosova Sot Online)