A do ta heq Holanda bllokadën ndaj Kosovës për vizat – Flasin nga ambasada në Prishtinë

  • E.K /
  • 26 April 2022 - 13:10
A do ta heq Holanda bllokadën ndaj Kosovës për vizat –  Flasin nga ambasada në Prishtinë

Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian ka kohë që kanë konstatuar se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Megjithatë, çështja tashmë është në Këshillin Evropian dhe në duar të shteteve anëtare. Dy shtete të mëdha të BE-së të cilat vazhdojnë të jenë skeptike për atë nëse kosovarët duhet të lëvizin pa viza në Zonën Schengen janë Franca dhe Holanda.

Në adresë të Holandës ditë më parë ka shkuar edhe një kërkesë nga eurodeputeti holandez , Thijs Reuten, i cili ka thënë se është koha që Holanda ta përkrah Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, marrë parasysh rreshtimin e Kosovës krah Perëndimit sa i përket zhvillimeve të fundit në nivel global dhe refuzimit të Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë dhe Vladimir Putinit.

Por çfarë thonë nga Ambasada holandeze në Prishtinë dhe a do të ndryshojë qëndrimi për liberalizimin e vizave. Zëvendësshefi i misionit në Ambasadën e Holandës në Prishtinë, Peter van de Bloemen, në një përgjigje për  Express ka përmendur nevojën që Kosova të bëjë progres në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta.

Van de Bloemen thotë se përparimi në një fushë të tillë, përveç që do t’i ndihmonte Kosovës si shtet, do të kishte ndikim pozitiv edhe në aspiratën e kosovarëve për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen.

“Ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në ambiciet për agjendën e reformave të Sundimit të Ligjit, në veçanti lidhur me luftën kundër nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Progresi në këto reforma fillimisht do të jetë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Për më shumë ai do të mbështeste gjithashtu ambiciet për udhëtim pa viza”, ka thënë ai.

Zyrtari i Ambasadës së Holandës në Prishtinë tutje ka thënë se është në dorën e Këshillit të Evropës dhe shteteve anëtare për të diskutuar dhe pajtuar sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën në momentin kur çështja do të jetë në agjendë.

“I takon Këshillit të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij që të diskutojnë dhe bien dakord për liberalizimin e vizave për Kosovën pasi të jetë në agjendë”, ka thënë van de Bloemen.

 I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Holandës nëse kjo çështje do të vendoset në agjendën e Këshillit të Evropës, van de Bloemen ka thënë se vlerësimi do të bëhet në momentin që çështja do të jetë në agjendën e Këshillit dhe se do të varet nga progresi i bërë nga Kosova në reformat për sundimin e Ligjit.

“Vlerësimi do të bëhet në momentin që liberalizimi i vizave është në agjendën e Këshillit dhe do të varet nga progresi i bërë nga Kosova në reformat e saj ambicioze për sundimin e ligjit, të cilat ne i mbështesim plotësisht. Ne kemi një interes të veçantë në dy fusha të përmendura më parë, lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, ka theksuar van de Bloemen.

Në fund, zyrtari holandez ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrah Qeverinë e Kosovës dhe institucionet gjyqësore, organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme të sundimit të ligjit.

Ditë më parë përmes një shkrimit të përbashkët, eurodeputeti Thijs Reuten dhe aktivisti i Stefan van Dijk kanë bërë thirrje që Holanda të heq bllokadën për liberalizimin e vizave për kosovarët, duke e cilësuar atë si të “pakuptimtë”.

Reuten dhe van Dijk teksa i janë referuar veprimeve të Serbisë, kanë theksuar se në këtë kohë kur disa vende po shfaqin tendenca autokratike, atëherë duhet dhënë mbështetje një vendi demokratik dhe të orientuar drejt BE-së si Kosova. Të dy kanë theksuar se është koha që Holanda të heq bllokadën ndaj kosovarëve për çështjen

“S’është e nevojshme që të shpjegojmë se sa e padëshirueshme është që vendet e Ballkanit Perëndimor të shikojnë drejt Rusisë dhe Kinës, në vend të Bashkimit Evropian. Në një kohë kur disa vende evropiane po shfaqin tendenca autokratike, ne duhet të mbështesim një vend demokratik, të orientuar drejt BE-së si Kosova. Është koha për të lënë mënjanë ndjenjat e brendshme dhe për t’u dhënë kosovarëve sinjalin e duhur. Është koha që Holanda të heqë bllokadën e pakuptimtë kundër udhëtimit pa viza”, kanë thënë në shkrimin e përbashkët.

Përveç Holandës, Franca është shteti tjetër i BE-së që është skeptik për liberalizimin e vizave. Shpresat se Franca do të ndryshojë qëndrim janë rritur pas rizgjedhjes së Emmanuel Macron në krye të Pallatit të Elizesë edhe për një mandat. Qëndrimi i deritashëm i Francës është se Kosova duhet të punojë ende në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

(Kosova Sot Online)