Gjetjet e raportit të “Freedom House” për ndikimin rus, kinez dhe turk në Kosovë, flet Maliqi

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 13:34
Gjetjet e raportit të “Freedom House” për ndikimin rus, kinez dhe turk në Kosovë, flet Maliqi

Raporti i “Freedom House” për Kosovën për vitin 2021 e i cili është bërë publik ditë më parë, tek seksioni i emëruar “Funksionimi i Qeverisë” ka folur për ndikimin që Serbia ka në veri të Kosovës, derisa ka theksuar se viteve të fundit, Rusia, Kina dhe Turqia kanë ushtruar ndikimin e tyre mbi proceset e qeverisë së Kosovës.

“Sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar nga jostabiliteti. Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit. Serbia ende e ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet e Kosovës s’kanë një prezencë të fortë. Qeverië e Rusisë, Kinës dhe Turqisë gjithashtu kanë ushtruar ndikim mbi proceset e Qeverisë në Kosovë në vitet e fundit”, thuhet në raportin e“Freedom House”.

Raporti i Freedom House

Image

Lidhur me këtë konstatim në raportin e “Freedom House”, në një prononcim për Gazetën Express ka folur analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Agon Maliqi.

Maliqi thotë se një konstatim i tillë në raportin e “FH” është përgjithësues dhe sipërfaqësor, meqë sipas Maliqit s’mund të flitet për ndikim të njëjtë të tri shteteve.

“Ky konstatim i shkëputur është shumë përgjithësues dhe sipërfaqësor sepse nuk mund të flitet për ndikimin e të tri shteteve njësoj, qoftë për nga intensiteti apo për nga synimet”, ka thënë Maliqi.

Ai tutje thekson se ndikimin kinez në Kosovë është i papërfillshëm, derisa për atë rus thotë se është i përqendruar në sulme hibride dhe inskenime të shqetësimeve të sigurisë sesa në procese të Qeverisë.

“Në këtë kuptim, ndikimi kinez brenda Kosovës është i papërfillshëm, ndërkohë që ai rus është më shumë i përqendruar në sulme hibride dhe inskenime të shqetësimeve të sigurisë sesa në procese qeverisëse”, shton tutje Maliqi.

Ai e shënjon si vërejtje edhe frazën “në vitet e fundit” të përdorur në raportin e Freedom House, duke thënë se periudha për të cilën flet raporti është shumë abstrakte dhe këtu shton se në vitet e fundit janë ndërruar disa qeveri, e të cilat kanë pasur qëndrime de qasje të ndryshme në qeverisje.

“Gjithashtu periudha kohore (“në vitet e fundit”) është shumë abstrakte, veçanërisht duke e pasur parasysh se brenda viteve të fundit kemi pasur disa qeveri me qëndrime dhe qasje shumë të ndryshme në qeverisje”, ka përfunduar Agon Maliqi.

(Kosova Sot Online)