Abbott, institucioneve: Për hir të së ardhmes, hidhni dritë mbi fatin e të pagjeturve

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 15:06
Abbott, institucioneve: Për hir të së ardhmes, hidhni dritë mbi fatin e të pagjeturve

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, duke kujtuar Ditën e të Zhdukurve me Dhunë në Kosovë, ka bërë thirrje për të gjitha institucionet përgjegjëse që të angazhohen më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai tha se familjarët e tyre meritojnë të dinë se ku i kanë të dashurit e tyre.

“Sot është Ditë Kombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë. Për hir të një të ardhme më të mirë, të gjitha familjet e të zhdukurve meritojnë përgjigje rreth fatit të të dashurve të tyre. U bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante që të bëjnë më shumë për të hedhur dritë në fatin e personave të zhdukur”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Në këtë datë, e cila bie në të njëjtën datë me Masakrën e Mejës, krerë institucionalë bënë homazhe për të rënët, derisa dhanë zotime se tema e tyre do të jetë primare në bisedat me Serbinë. Këtë të fundit, kryeparlamentari Konjufca e akuzoi se nuk do ta hapë territorin e saj për të hulumtuar për të zhdukurit.

(Kosova Sot Online)