Detaje të takimeve në Berlin, Kancelari i takon ndaras Kurtin e Vuçiqin, pastaj me ta merret Lajcak

  • E.K /
  • 29 April 2022 - 15:24
Detaje të takimeve në Berlin, Kancelari i takon ndaras Kurtin e Vuçiqin, pastaj me ta merret Lajcak

Shefi i Qeverisë gjermane, Olaf Scholz, do t’i takojë më 4 maj në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq. Këtë e kanë konfirmuar ekskluzivisht për Express nga Qeveria Gjermane.

Takimi në mes të kancelarit gjerman dhe kryeministrit Kurti, siç i është konfirmuar do të zhvillohet në orën 15:00 të datës 4 maj, e ku do të flitet për situatën aktuale të sigurisë pas ngjarjeve në Ukrainë, çështjet rajonale dhe për raportet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Ndërkohë me presidentin e Serbisë, Scholz do të takohet në orën 17 e 30, dhe do të diskutojnë për agresionin e Rusisë në Ukrainë, çështjet dypalëshe Serbi-Gjermani, dhe çështjet ekonomike dhe rajonale.

Siç kanë thënë nga Qeveria gjermane për  Express, këto bisedime do të shërbejnë në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Për këtë arsye, pra në shërbim të mbështetjes së dialogut Prishtinë-Beograd, Scholz ka ftuar në Berlin edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, i cili do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, në mbrëmjen e 4 majit.

(Kosova Sot Online)