Kamberi akuzon Daçiqin dhe SPS’in se bënë presion që të përsëriten zgjedhjet në Tërnoc

  • E.K /
  • 04 May 2022 - 17:12
Kamberi akuzon Daçiqin dhe SPS’in se bënë presion që të përsëriten zgjedhjet në Tërnoc

Deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se Komisioni Komunal Zgjedhor në Bujanoc ka refuzuar ankesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnoc të Bujanocit.

Kamberi tha se pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur zërin e shqiptarëve në Kuvend, zëri i 13.000 votave të shqiptarëve të Luginës, sipas tij nuk do të ndalet.

Më tutje, Kamberi deklaroi se presioni i Beogradit ndaj organeve zgjedhore kundër shqiptarëve është vazhdimësi e praktikave të viteve ’90.

“Megjithë presionin e Ivica Daçiqit dhe SPS, lajm i mirë që sot Komisioni Komunal Zgjedhor në Bujanoc ka refuzuar ankesën e tyre për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnoc të Bujanocit.  Presioni politik i strukturave qendrore në Beograd ndaj organeve zgjedhore kundër shqiptarëve është vazhdimësi e praktikave të viteve ’90.   Sado që vazhdojnë përpjekjet për ta pamundësuar zërin e shqiptarëve në parlament, ato nuk do të mund ta ndalin vullnetin e mbi 13.000 votave të shqiptarëve të Luginës. Për Luginën dhe për shqiptarët në përgjithësi do të flasin të zgjedhurit e tyre sipas interesave të tyre”, ka shkruar Kamberi në një postim në “Facebook”. 

(Kosova Sot Online)