Kurti: Përveç njohjes në qendër, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë edhe elemente të tjera

  • A.P /
  • 05 May 2022 - 19:20
Kurti: Përveç njohjes në qendër, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë edhe elemente të tjera

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila po qëndron në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ajo mbajti një konferencë për media së bashku me kryeministrin Kurti, ku ky i fundit tregoi për takimet e tij në Berlin që pati dje.

“Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje por njohja duhet të jetë në qendër të tij. Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente tjera, por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur u çlirua.

Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur u shpallë pavarësia. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur u dha vendimi i GJND-së. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur mbaroi mbikëqyrja e pavarësisë”.

Sipas Kurtit, duhet të ecet përpara, por për këtë progres thotë se Vuçiq duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara presidenti i Serbisë duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur Vuçiqi asnjëherë nuk distancohet nga Mollosheviqi e Putini nuk është kërkesë për zgjidhje”, deklaroi tutje Kurti.


(Kosova Sot Online)