U kap me narkotikë afër një shkolle në Prishtinë, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

  • E.K /
  • 06 May 2022 - 11:17
U kap me narkotikë afër një shkolle në Prishtinë, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi që u kap me narkotikë në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta”, në Prishtinë.

Mbi të rëndon akuza për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes tek i njëjti është gjetur  një sasi e vogël substancë narkotike e llojit marihuanë, dymijetreqindenjëzet (2320) euro dhe një thikë.

Ndërkaq, pas bastisjes së shtëpisë janë gjetur dhe sekuestruar dyzetetetë qese të vogla me 39 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, një peshore digjitale, një armëAK47 me një karikator dhe 50 fishekë dhe një revole me një karikator dhe 8 fishekë.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i  Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurit B.G., në drejtim të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”,  nga neni 267  dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “, nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personi i lartcekur, më 05.05.2022, fillimisht është arrestuar nga policia në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta”, në Prishtinë, me ç’ rast të njëjtit i është gjetur një sasi e vogël substancë narkotike e llojit marihuanë, dymijetreqindenjëzet (2320) euro dhe një thikë. Me kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim nga gjyqtari i procedurës paraprake, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar: dyzetetetë (48) qese të vogla me 39 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, një (1) peshore digjitale, një (1) armëAK47 me një karikator dhe 50 fishekë dhe një (1) revole me një karikator dhe 8 fishekë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa ndaj kësaj çështje penale do ndërmerren veprimeve hetimore deri në epilogun përfundimtar.

(Kosova Sot Online)