Qeveria tregon se sa para mund t’i fitojë Kosova nga marrëveshja me MCC-në

  • E.K /
  • 07 May 2022 - 12:29
Qeveria tregon se sa para mund t’i fitojë Kosova nga marrëveshja me MCC-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar mbrëmë me Kryeshefen e Koorporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright përgjatë vizitës së tij në SHBA. Një ndër projektet për të cilat Kurti është zotuar që të nisë negocimin për projektin Kompakt, që parasheh fond mbi 200 milionë dollarë.

Informacione më të zgjeruara sesa kryeministri ka dhënë Zyra e tij, duke bërë të ditur se veç mjeteve financiare, Kompakti për Kosovën parasheh edhe ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

“Ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë”, u bë e ditur nga komunikata.

“Kryeministri Kurti falënderoi znj.Albright për punën e palodhshme dhe fokusin e veçantë të MCC-së në ekonominë e Kosovës”, njoftohet më tutje.

“Nga ana tjetër, znj.Albright falënderoi kryeministrin Kurti për punën dhe angazhimin për këtë projekt. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të ShBA-së për Republikën e Kosovës përmes MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj”, u tha ndër të tjera në njoftim. 

(Kosova Sot Online)