
Telekomi shkeli ligjin, ua regjistroi tiparet e fytyrës 700 punëtorëve

Agjencia për Informim dhe Privatësi, konkretisht Zyra e Inspektimit ka marrë vendim që t’i ndalojë Telekomit të Kosovës përpunimin e të dhënave biometrike përmes tipareve të fytyrës, i cili vepronte me qëllim të identifikimit gjatë regjistrimit të hyrje/daljeve të punëtorëve nga puna në objektet e Telekomit.
Sipas vendimit Telekomi i Kosovës është urdhëruar gjithashtu që të shkatërrojë të gjitha të dhënat biometrike të subjekteve të të dhënave, përkatësisht tipareve të fytyrës të cilat janë grumbulluar përmes pajisjeve për identifikim gjatë regjistrimit të hyrje/daljeve të punëtorëve nga puna.
“1. Urdhërohet “Telekomi i Kosovës” Sh.A, me NUI: 811288001, Prishtinë, të ndaloj përpunimin e të dhënave biometrike (tiparet e fytyrës), për qëllim të identifikimit gjatë regjistrimit të hyrjes/daljes së punëtorëve nga puna, në të gjitha objektet e saj. 2. Urdhërohet “Telekomi i Kosovës” Sh.A, të fshij dhe shkatërroj, të gjitha të dhënat biometrike të subjekteve të të dhënave (tiparet e fytyrës), të grumbulluara përmes pajisjeve për identifikimin gjatë regjistrimit të hyrjes/daljes nga puna”, thuhet në vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Kjo Agjenci gjithashtu ka obliguar Telekomin që brenda 15 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të njoftojë Agjencinë në fjalë për veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, me qëllim të verifikimit të pretendimeve nga ankuesi, ka realizuar një inspektim ku është konstatuar se Telekomi i Kosovës në objektet e saj të punës ka vendosur pajisje me qëllim të sigurisë, por që të njëjtat gjithashtu shërbejnë për identifikimin e hyrje/daljeve të punëtorëve dhe regjistrimin e orëve të punës së tyre.
Në sistem, bazuar në inspektimin e Agjencisë, janë të regjistruar mbi 700 punonjës, të cilëve pajisja ua ka regjistruar tiparet e fytyrës, përmes së cilave i ka identifikuar ata duke i regjistruar gjatë hyrjes apo daljes nga puna.
Operatori ekonomik i cili ka bërë instalimin e pajisjeve në objektet e Telekomit të Kosovës, të cilat sipas tyre janë në fazën testuese, kanë deklaruar se pajisjet në fjalë njohin të punësuarit në Telekom përmes tipareve të fytyrës, por jo edhe përmes retinës së syrit.
Në deklaratën e tyre, operatori ekonomik në vendimin që ka siguruar lajmi.net ka bërë të ditur se me këto pajisje është i lidhur sistemi i menaxhimit të punonjësve të cilat regjistrojnë kohën e hyrjes dhe daljes së punonjësve, ku çdo punonjës ka qasje për vete dhe çdo mbikëqyrës ka qasje për punëtorët e tij.
Tutje, në arsyetimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vendimin në fjalë, bëhet e ditur se vendimi për largimin e pajisjeve që shërbenin për identifikimin e punëtorëve të Telekomit përmes tipareve të fytyrës është marrë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kjo i bije që Telekomi ka shkelur ligjin.
“Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDHP), përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit. Sipas nenit 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të LMDHP-së, me të dhëna personale nënkuptojmë çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm (“subjekt i të dhënave”); një person fizik i identifikueshëm është ai, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt, veçanërisht duke iu referuar një identifikuesi në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, një identifikues online, ose një apo më shumë faktorë specifikë për identitetin fizik, psikologjik, gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose social të atij personi fizik”, thuhet në arsyetim.
Gjithashtu, i njëjti Ligj përcakton edhe cilat të dhëna konsiderohen biometrike.
“Përveç përcaktimit të të dhënave personale, LMDHP ka përcaktuar edhe cilat të dhëna konsiderohen si të dhëna biometrike, që sipas nenit 3, paragrafi 1, nën paragrafi 20, të dhënat biometrike janë të gjitha të dhënat personale që rezultojnë nga përpunimi specifik që kanë të bëjnë me karakteristikat fizike, psikologjike ose të sjelljes së një personi fizik që lejon ose konfirmon identifikimin unik të atij personi fizik si dhe imazhet pamore ose të dhënat daktiloskopike, psikologjike dhe të sjelljes, që i kanë të gjithë individët, por që janë të veçanta dhe të përhershme për secilin individ, nëse në veçanti mund të përdoren për identifikimin e një individi, siç janë: gjurmët e gishtërinjve, vijat papilare të gishtit, irida, retina, tiparet e fytyrës dhe ADN-ja. Kësisoj, del se LMDHP, tiparet e fytyrës i karakterizon si të dhëna biometrike dhe të njëjtat i përkasin kategorisë së veçantë të të dhënave, të cilat, për nga natyra, janë veçanërisht të ndjeshme në lidhje me të drejtat dhe liritë themelore dhe meritojnë mbrojtje specifike, pasi konteksti i përpunimit të tyre mund të krijojë rreziqe të rëndësishme për të drejtat dhe liritë themelore”, thuhet në arsyetimin e Agjencisë.
Sipas Agjencisë, Telekomi i Kosovës në cilësinë e kontrolluesit të këtyre të dhënave nuk ka bazë ligjore të bëjë përpunimin e të dhënave biometrike për qëllim të identifikimit të hyrjes/daljes së punëtorëve nga puna dhe me këtë ka përpunuar të dhëna biometrike në kundërshtim me nenin 4, nenin 5, nenin 8 dhe nenin 81 të LMDHP-së. Andaj, e njëjta obligohet të ndaloj përpunimin e të dhënave biometrike dhe njëherit të bëjë fshirjen dhe shkatërrimin e të dhënave biometrike të grumbulluar në këtë mënyrë.
Telekomi i Kosovës nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përveçse mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda afatit prej 30 ditës.
Sidoqoftë, inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.
(Kosova Sot Online)