Prej disa ditësh në SHBA, me kë po takohen e çfarë aktivitete po bëjnë Kurti, Osmani e Haradinaj?

  • E.K /
  • 10 May 2022 - 12:46
Prej disa ditësh në SHBA, me kë po takohen e çfarë aktivitete po bëjnë Kurti, Osmani e Haradinaj?

Kryeministri Kurti ka nisur vizitën e shumëpritur në ShBA që nga e premtja, e përtej Atlantikut kanë udhëtuar edhe presidentja Vjosa Osmani e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj veçse nga kontintente të ndryshme. Osmani ka fluturuar në Washington nga Amerika Latine. Por çfarë po bëjnë këto figura politike në Amerikë e me kë po takohen?

Kryeministri Kurti ka qëndruar në  Washington DC por deri tash s’ka realizuar ndonjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë, Departament të shtetit apo Dhomën e Përfaqësuesve.

Në kryeqytetin amerikan, Kurti ka takuar kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright me të cilën ka biseduar për Negociatat e Programit të Kompaktit për Kosovën.

Kreu i qeverisë nga bregu lindor i ShBA-së ka udhëtuar për në bregun perëndimor, ku ka qëndruar në qytetin e teknologjisë në San Francisco dhe është takuar me drejtuesit të rrjetit të njohur social të punësimit LinkedIn, të cilët i ka ftuar që të investojnë në Kosovë.

Pas disa ditë qëndrimi në disa shtete të  Amerikës Latine, presidentja Osmani ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të konferencës së Mynihut.

Sipas zyrës për media të Presidencës, shefja e shtetit do të flasë në panelin për siguri energjetike dhe në dy evente tjera, ndërkaq përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse do të diskutojnë për situatën e sigurisë në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë dhe forcimin e partneritetit transatlantik.

Presidentja Osmani në kuadër të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut ka takuar Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani takoi edhe zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think- tanks nga Amerika e Evropa

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar disa takime në SHBA ku po qëndron që nga e shtuna.

Haradinaj ka vizituar Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe poashtu ka takuar ambasadorin Frank Wisner të cilit i ka dhuruar medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet”.

Kreu i AAK-së në SHBA ka bërë homazhe pranë varrezave të vëllezërve Bytyçi të cilët u kidnapuan nga shteti serb dhe u gjetën të vrarë në një varrezë masive.

Ish-kryeministri Haradinaj në vazhdën e takimeve të tij në Amerikë ka takuar edhe Kongresmenin Richie Torres dhe ambasadorin shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

(Kosova Sot Online)