Vuçiqi i mllefosur me Gjermaninë: 'Kosova është zemra e Europës'

  • A.P /
  • 15 May 2022 - 10:57
Vuçiqi i mllefosur me Gjermaninë: 'Kosova është zemra e Europës'

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin se Kosova e ka mbështetjen e Berlinit për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Vuçiq tha se dëshiron të heshtë në këtë rast.

“Do të filloja, nëse më lejoni në një mënyrë tjetër, t’u drejtohem qytetarëve të Serbisë. Ndonjëherë në këto kohë është më e mençur të heshtni disa gjëra”, citojnë mediat serbe të ketë thënë presidenti serb në TV Prva.

Vuçiq komentoi edhe thirrjen e ministrave të G7-ës që i bënë thirrje Serbisë ta harmonizojë politikën e saj me BE-në. Ai i quajti “politikë pa parime” dhe “presione brutale” disa pjesë të deklaratës së G7-ës, ndërsa nuk u përmbajt duke shprehur mllefin e tij ndaj Gjermanisë.

“Edhe britanikët sillen më korrekt se gjermanët, të paktën nuk do të përdorin sëpatën menjëherë”, tha Vuçiq.

Emisari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë të shtunën se Kosova është zemra e Europës dhe se i përket Këshillit të Europës, duke theksuar se e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë proces.

Për këtë, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla e falënderoi në gjermanisht në profilin e saj në Twitter, duke shpërndarë fjalët e Sarrazin.

(Kosova Sot Online)