A po i rikthehet Kosova projektit amerikan të gazit?

  • A.P /
  • 15 May 2022 - 13:56
A po i rikthehet Kosova projektit amerikan të gazit?

Qeveria e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë e kyçjes në rrjetin e Gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP), pasi vitin e kaluar nuk e kishte shtyrë përpara një projekt të tillë, duke u thirrur në koston e lartë të tij.

Ndërkaq, ekspertët e energjisë dhe organizatat joqeveritare po i bëjnë thirrje Qeverisë, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të diversifikojë burimet e energjisë, përfshirë edhe gazin, si mundësi për rritje të sigurisë energjetike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, tha se Ministria e Ekonomisë, përmes Strategjisë së Energjisë 2022-2031 – që është në proces të finalizimit – ka analizuar edhe opsionin e gazit.

Aktualisht, sipas tij, në proces të zhvillimit janë dy studime të fizibilitetit: gazsjellësi Maqedoni e Veriut- Kosovë, dhe master-plani i gazit natyror në Kosovë.

Kosova vitin e kaluar ndërpreu projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Gazi, mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë

Kjo ndërprerje e projektit ishte bërë me arsyetimin se ka një kosto të lartë dhe se nuk ishte ekonomikisht i favorshëm. Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte thënë se do t’i jepte Kosovës një grant deri në 200 milionë dollarë, që do të mund të shtetëzohej për infrastrukturën e gazit.

Eksperti i fushës së energjisë, njëherësh ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, thotë për rel se ekzekutivi kosovar është dashur që tani të punojë se si ta shfrytëzojë mundësinë e gazit.

Ai thotë se është koha që Qeveria të intensifikojë proceset dhe të gjejë mundësitë të cilat mund t’i shfrytëzojë në këtë drejtim.

“Nëse [Qeveria] mendon të zhvillojë rrjetin sekondar është mirë të mendojë që të vijë gazsjellësi në Kosovë. Rrejti sekondar nënkupton që të vijë dhe të shfrytëzohet edhe për ngrohje, për industri e të tjera. Nëse mendon që mjafton që të ketë ndonjë gjenerator nga gazi për shfrytëzim të energjisë elektrike, atëherë mund të mendojë të ndërtojë një termocentral me marrëveshje me Shqipërinë, në mënyrë që të mos bëjë shpenzime për gazsjellësin, nëse i duhet vetëm energji elektrike”, thotë ai.

Ndërkaq, në një analizë të publikuar në prill të këtij viti, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se linjat rajonale të furnizimit me gaz natyror janë një mundësi e rëndësishme për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur sigurinë energjetike.

Ky institut kërkoi që autoritetet në Kosovë të intensifikojnë përpjekjet për të nxitur dhe zhvilluar procesin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Në kontekstin e Kosovës, aktualisht vendi nuk ka qasje në tregun e gazit, nuk ka infrastrukturë, dhe nuk ka furnizime me gaz natyror.

Korniza legjislative dhe rregulluese është në fillet e saj.

Por, sipas INDEP-it, ekzistojnë mundësi për të siguruar një rrugë të furnizimit me gaz natyror nga Maqedonia e Veriut ose nga Shqipëria nëpërmjet tubacioneve, si dhe me gaz të lëngshëm natyror nga terminalet e afërta kryesore.

Qeveria e Kosovës, sipas INDEP-it, duhet të fokusohet në krijimin e infrastrukturës së gazit dhe të themelojë një kompani të re publike, si dhe të konsiderojë si mundësi ndërtimin e një impianti të ri me gaz (250 MW) në një periudhë afatshkurte dhe afatmesme.

Termocentrali me gaz, sipas këtij instituti, mund të ndërtohet shumë më shpejt dhe do të mund të hynte në operim potencialisht në vitin 2027 ose 2028.

Dinamikat për kyçje në projektin e rrjetit të gazsjellësit TAP janë rritur pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Institucionet evropiane mbështesin projektin e TAP-it, pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht dominohet nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Marrëveshja me MCC-në, për pavarësinë energjetike të Kosovës

Teksa rajoni dhe Evropa po tentojnë që të ulin varësinë nga gazi rus, Kosova, duke u mbështetur te MCC-ja, po mëton që të rrisë pavarësinë energjetike.

Gjatë vizitës në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesit e MCC-së dhe kjo e fundit më 13 maj njoftoi se është arritur një marrëveshje kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e cila ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)