Racizmi në Festën e Abetares, arsyetimet e ndryshme të mësueses e drejtorit të shkollës
Të martën, u organizua Festa e Abetares për fëmijët e klasës së parë në Karagaç të Pejës. Lënia anash e disa fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë gjatë kësaj feste, ngjalli reagime të shumta. Mësuesja e tyre tha se ishte kërkesë e vetë fëmijëve që të rrijnë në pjesën e shikuesve, por ata e mohuan, duke thënë se u ulën aty me kërkesë të mësueses. Për rastin është deklaruar sërish sot mësuesja dhe Drejtori i Shkollës, ku këta fëmijë ndjekin mësimet.
Fëmijë të shumtë ishin mbledhur të martën, në Karagaç të Pejës. Ata ishin bërë bashkë në qendër të një salle për Festën e Abetares. Por, bashkë me ta nuk u lejuan edhe disa nxënës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë.
Ata e përcollën festën vetëm nga ulëset e shikuesve.
Kur mësuesja e tyre, Xhylfidane Morina, u pyet se pse nxënësit nga komunitetet ishin të ulur në një pjesë të sallës ku s’ishte askush tjetër, ajo u arsyetuar se kjo ishte kërkese e vetë fëmijëve.
“Patën vetë dëshirë me u ul këtu, pa asnjë qëllim tjetër. Dmth vetëm dëshira jonë që u ndimë se hapësira ke ma e madhe. Normal që dëshira e fmive ka qenë me qenë poshtë se ju ka dok ma afër, por pa asnjë arsye tjetër”, ka thënë Morina.
Por, ndryshe kanë deklaruar vetë nxënësit. Ata thanë se u ulën aty me kërkesë të mësues.
“Po kena pas qef, po qitu tha mësuesja, qitu u ula. U ulëm me shoqni”, tha njëra nga nxënëset.
“Mësuesja na tha (uluni këtu)”, thanë dy nga fëmijët e tha tjetri nxënës, që po e shijonte Festën e Abetares prej larg.
Por, tjetër shpjegim për rastin ka dhënë e njëjta sot. Ajo ka thënë se ka qenë në park me fëmijët, por duke u kthyer për në shkollë, disa që janë më të vegjël i kanë kërkuar që të marrin pjesë në festë.
Thotë se ua bëri gati edhe kapelet që ata të mos ndihen keq.
E për pjesën ku ishin të ulur fëmijët e komuniteteve, Morina sot tha se e zgjodhën për të mos e penguar festën.
“Nuk është paralele e ndarë, por fëmijët janë të moshave madhore që s’kanë qenë kurrë në shkollë. Kjo klasë ekziston qe 13 vite. Ne ishim dje në mësim deri në ora 10:00. Prej orës 10:00 deri në ora 13:00, kemi qenë në park të qytetit në Karagaq të Pejës, me një aktivitet që është ndërlidh me planprogram. Me të gjithë nxënësat isha, por një grup i nxanësave që janë më të vegjël, kanë kërku ka jemi ardh, mësuese a të shkojmë edhe na të marrim pjesë në Festën e Abetares. S’kam hezitu aspak, mënjëhere thash po shkojmë, nuk është kurrfarë problemi. Kemi shku i kemi bë 10 kapele që kam dasht t’i kenë fëmijët që të mos ndihen keq, dhe kur na kemi shku në 13:30, gati kur është kry festa dhe kemi shku e kemi gjet qat hapësirë që ka qenë më e zbrazët që mos me i pengu tjerët dhe kemi shku jemi sistemu aty, pa asnjë qëllim tjetër e diskriminim, vetëm me dëshirë që mos me pengu festën. E kemi caktu qat hapësirë që e kemi pa më të arsyeshme që mos me pengu festën”, ka deklaruar Morina.
Ajo ka thënë se të gjithë nxënësit e komunitetve që janë në klasë të rregullta kanë marrë pjesë në Festën e Abetares
“Në shkollë tonë kemi të komunitetit RAE që janë në klasa të rregullta. Po, ata rregullisht kanë marrë pjesë në festa, asnjëherë s’jam diskriminu. E vetmja shkollë është që i trajtojmë në mënyrën më të barabartë dhe në mënyrën më të mirë. Mirëpo, nuk mundemi me i qit këta të moshës madhore, 10 vjet me nxënësin që i ka 6 vjet”, ka thënë mësuesja.
Pas reagimve të shumta, për rastin është deklaruar edhe Drejtori i shkollës “Xhemajl Kada” e ka mohuar që nxënësit e komunitetit rom, ashkalinj e egjiptian janë lënë anash në festën e organizuar për nder të përfundimit të Abetares.
Sipas tij, ata nxënës s’kanë qenë farë në klasë të parë, por se vetëm kanë shkuar ta përcjellin festën, me leje të mësueses dhe të tij.
“Ai komunitet prej 10 nxënës kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Është mësimi intensiv, që unë i kam diku 50 nxënës që nuk janë të kategorisë së njejtë të tyre. Nuk janë bashkëmoshatarë të tyre, nuk e kanë mësu ata alfabetin, ata veç janë tu ec tu ec ma tutje. Kanë shpreh vullnet me ardhë me pa programin, edhe në qat mënyrë janë fut në sallë dhe janë sitemuar aty. Kanë shpreh vullnetin edhe vetë ata, se po shohim ma mirë. Tash mediat unë s’di ca po bëni ju në këtë mënyrë, vec hor jeni tu na ba në tana anët se s’jeni tu ba për komunitetin”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se në shkollën që drejton ka fëmijë të komunitetit boshnjak, rom, egjiptian dhe ashkali dhe se në momentin që ata aftësohen, i vendosin në paralele me bashkëmoshatarët e tjerë.
“Unë këtu i kam komunitetin boshnjak, rom, egjiptian dhe ashkali. Le të vjen veç dikush le ta drejton gishtin ka kjo shkollë, gabon sa është i madh sepse me të vërtetë çfarë tretmani iu bëjmë këtyne. Në çdo mënyrë jemi duke u munduar me i integru në paralale ku i kemi. Si të aftësohet nxënësi, automatikisht e çojmë në paralalet te bashkëmoshatarët.
Ata fëmijë, bile ndoshta e keni pa edhe vetë përmes ekranit, nuk janë 6-7 vjeçarë, ata janë diku 8,9 e 10, 12 e përpjetë. Arsimtarja e ka pas një agjendë për park me i qit, e ka pas një agjendë pune me fëmijë me dal pak dhe ata kanë shpreh vullnetin, tu thanë a bën me shku se kemi dëgju dhe ajio I ka marrë dhe sistemu, normal me lejen tonë. Janë të klasës së dytë, tretë dhe të katërt”, ka deklaruar drejtori.
Për rastin ka reaguar mbrëmë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e cila edhe vetë ishte në festë.
Ajo ka thënë se ky rast do të shqyrtohet sot me prioritet nga Drejtoria për Arsim në Pejë.
“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë! Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës. Parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”, ka shkruar Nagavci.
Për rastin ka reaguar edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ndihet i shqetësuar për rastin.
Ai tha se ka kontaktuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është njoftuar se rasti është duke u trajtuar.
“Ndihem i shqetësuar shumë për rastin e sotëm ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë. Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë.
Nga Ministrja Arbërie Nagavci u njoftova se janë duke e trajtuar rastin në mënyrë që të kuptohet e vërteta dhe se në shkollat tona s’ka hapësirë për diskriminim e pabarazi. Faleminderit mediave për senzibilizimin dhe raportimin e këtyre veprimeve të patolerusheme. Dhe njëherë ju drejtohem me thirrjen se përdorimi i termit ‘RAE’ është joadekuat dhe ofendues”, shkroi Krasniqi në Facebook.
(Kosova Sot Online)
