Besnik Tahiri: Qeveri kah jeni nis? Kthjelluni!
Pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ku u diskutua për Ligjin për tërheqje të 30% të Trustit, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri.
Duke e kritikuar deputetët e Vetëvendosjes që kjo nismë nuk kaloi për aprovim në komision për shkak se nuk ishin votat e mjaftueshme, Tahiri tha se Qeveria Kurti po e dërgon vendin në një kolaps energjetik me vendime joligjore.
“Trustit i thatë jo, me vetëdije po e dërgoni vendin në kolaps energjetik me vendime anti-ligjore. Ligji i Pagave është pluhurosur në sirtarët e zyrave të juaja e që besa 100 euro ende nuk i dhatë për punëtorët e sektorit privat. Qeveri kah jeni nis? Kthjelluni!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Deputetët e VV-së pamundësuan miratimin e propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në mbledhjen e sotme në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Pesë deputetë të pozitës votuan kundër, ndërkaq pesë të opozitës votuan pro, deputetja Balje abstenoi dhe u pamundësua kalimi i propozimit.
(Kosova Sot Online)
