Haradinaj flet për zgjedhjet e brendshme në AAK, Diellza Kukaj zgjedhet kryetare e Aleancës së Gruas

  • E.K /
  • 27 May 2022 - 13:41
Haradinaj flet për zgjedhjet e brendshme në AAK, Diellza Kukaj zgjedhet kryetare e Aleancës së Gruas

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për zgjedhjet e brendshme të partisë.

Haradinaj ka thënë se në pesë muajt e fundit janë mbajtur mbi 400 kuvende të nëndegëve, të strukturave të rinisë dhe të gruas.

“Aleanca po e përfundon një proces të suksesshëm të zgjedhjeve të brendshme. Për këta 5 muaj, janë mbajtur mbi 400 kuvende të nëndegëve, të strukturave të rinisë dhe të gruas. Zgjedhjet kanë qenë gjithëpërfshirëse, të hapura e me një konkurrencë të admirueshme. Pjesa dërmuese e njerëzve të zgjedhur për të udhëhequr nëpër nëndegë, në aleancën e të rinjve apo të gruas, janë të rinj, prej të cilëve mbi 40 % njerëz që janë anëtarësuar në këto 2-3 vjet”, tha Haradinaj para mediave.

Haradinaj ka njoftuar se Diellza Kukaj është zgjedhur kryetare e Aleancës së Gruas.

“Risi e këtyre zgjedhjeve, është rikthimi i Aleancës së Gruas, me 23 njësi zgjedhore, që ka rezultuar me një kuvend të suksesshëm, me garë të hapur e shumë demokratike, nga i cili kuvend, u zgjodh kryetare e AGK, Diellza Kukaj, që është me mua sot”, tregoi Haradinaj.

Krejt në fund i pari i AAK-së, tregoi për punën që e ka bërë ai dhe partia e tij lidhur me qeverisjen e vendit në 4 vitet e fundit.

“Aleanca në katër vitet që kaluan, ka luajtur një rol konstruktiv e domethënës në skenën politike e shtetërore në Kosovë. Për dy vite kemi udhëhequr me Qeverinë, e për rreth një vit, kemi qenë në bashkëqeverisje. Gjatë drejtimit të qeverisë, kemi arritur t’i kryejmë shumë punë të rëndësishme për vendin. E kemi prapësuar skenarin e ndarjes së Kosovës, Kosovën e kemi bërë me ushtri, Trepçën ia kemi kthyer Kosovës, Kemi pavarësuar sistemin energjetik, Kryeqytetin e kemi bërë me ligj,

Serbisë ia kemi hequr tregun e Kosovën me taksën 100%. Kemi ruajtur të drejtën e korrigjimit të demarkacionit me Malin e Zi, E kemi kaluar ligjin e pagave, të cilin sot po e bllokon qeveria Kurti si dhe të arritura të tjera që qytetarët janë në dijeni për to”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot Online)