Policia nis hetimet për postimin “Gjaku s’bahet ujë vlla”, familjari i Strellës ftohet për intervistim

  • E.K /
  • 01 June 2022 - 08:26
Policia nis hetimet për postimin “Gjaku s’bahet ujë vlla”, familjari i Strellës ftohet për intervistim

Para dy ditësh, u bë virale një foto e familjarit të të vrarit në Ferizaj, Gazmend Hysenit, ku i njëjti paralajmëronte hakmarrje, përmes një videoje të publikuar  në rrjetin social “Tik Tok”, me mbishkrimin “Gjaku s’bëhet ujë vëlla”. Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se lidhur me këtë rast tashmë Policia dhe Prokuroria janë vënë në dijeni dhe kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pasi Hetimet Rajonale janë vënë në veprim lidhur me publikimin e këtij postimi, është intervistuar Blend Hyseni, personi i dyshuar, i moshës 18-vjeçare, djali i xhaxhait të të ndjerit Gazemendit.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari Blend Hyseni ka deklaruar se fotografia të cilën e kishte publikuar më 30 maj në rrjete sociale, ku shihej me armë, ishte realizuar para dy vitesh, duke shtuar se nuk e di se si ka përfunduar mbishkrimi “Gjaku s’bëhet ujë”, në fotografinë e tij. I riu ka thënë para Policisë se nuk ka pasur e nuk ka asnjë qëllim hakmarrjeje lidhur me rastin.

Por e kujt ishte arma që shihej në postimin e publikuar?

I riu ka rrëfyer në Policia se arma me të cilën shihej në postimet e shpërndara gjithandej në rrjete sociale ka qenë e djalit të xhaxhait, Gazmendit, i cili u vra të shtunën në Ferizaj, nga i dyshuari Qëndrim Januzi, vëllai i reperit Buta.

Pas përfundimit të procedurave në Polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “kanosje”, ndërkohë që hetimet për të mbledhur informacione dhe prova të tjera për rastin po vazhdojnë.

(Kosova Sot Online)