Detaje për rastin në “Kodrën e Trimave” ku polici e qëlloi për vdekje qytetarin

  • E.K /
  • 01 June 2022 - 08:48
Detaje për rastin në “Kodrën e Trimave” ku polici e qëlloi për vdekje qytetarin

Një zyrtar policor e kishte qëlluar me armë zjarri qytetarin B.B., teksa po kryhej një bastisje në shtëpinë e tij më 8 maj në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Sipas policisë i njëjti ua kishte drejtuar armën zyrtarëve policor duke ua rrezikuar jetën atyre dhe për këtë arsye zyrtari policor e kishte qëlluar atë. Por, dje, në ditën e 24 të mjekimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), B.B., 66-vjeç ka vdekur.

Ky rast është përfshirë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës dhe është hapur si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM /Rr. Abaz Shehu, Prishtinë 08.05.2022 – 09:10. Lidhur me rastin,  me 31.05.2022 personi që ishte duke u trajtuar në QKUK, ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh për rastin në fjalë.

Media kishte raportuar për aksionin në fjalë dhe sipas burimeve policia i kishte shkuar atij në shtëpi pasi një natë më parë e kishin lajmëruar fqinjët në polici nën dyshimet se ka gjuajtur me kallash.

Policia kishte deklaruar se në shtëpinë e të dyshuarit B.B. ishin pritur me armë, ndërsa vlerësohej se i dyshuari ua kishte rrezikuar jetën policëve.

“Me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtareve policor duke ua rrezikuar jetën e tyre. Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegeve të tjerë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Në shtëpinë e të dyshuarit, Policia thoshte se hasi në “një arsenal armësh që posedonte personi i dyshuar”.

Në postimin më poshtë mund të shihni pamje se çka ishte konfiskuar në shtëpinë e B.B.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/290415646632034

(Kosova Sot Online)