Kurti flet për disa deklarata të deputetit Haxhiu për Trustin: Është diletantizëm i jashtëzakonshëm

  • E.K /
  • 01 June 2022 - 12:39
Kurti flet për disa deklarata të deputetit Haxhiu për Trustin: Është diletantizëm i jashtëzakonshëm

Kryeministri Albin Kurti ka folur gjatë në mbledhjen e Qeverisë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Kurti i pati disa fjalë edhe për deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun, i cili është inicuesi i propozimit për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti. Kryeministri i quajti “diletantizëm” deklaratat e deputetit.

“Nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të Trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili në një prononcim të tij medial, duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë përafërsisht se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fundit. Ka mjete aq të mjaftueshme FMN. Ja pra se kush po merret me financa e me makroekonomi tek ne”, tha ai.

“Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, veçse vetë ai person. Pra, sipas tij, fakti që një fond ekziston, shërben si argument i mjaftueshëm dhe ftesë e hapur për ta zbrazur atë fond”, shtoi kryeministri.

(Kosova Sot Online)