Reagon këshilltari i Ministrit Aliu që u përfshi në përgjime: Të gjitha janë shpifje nga ata që ua ndalëm hajninë

  • 01 June 2022 - 20:40
Reagon këshilltari i Ministrit Aliu që u përfshi në përgjime: Të gjitha janë shpifje nga ata që ua ndalëm hajninë

Këshilltari i ministrit Liburn Aliu, Florent Ramqaj, ka reaguar pasi emri i tij u përmend në një dyshim për skandal të publikuar në një medium.  

Ramqaj i ka quajtur shpifje këto akuza dhe “pastërtinë” e tij e ka shprehur në dy mënyra.

“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë. Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, shkruan ai.

Këto janë dy mënyrat me të cilat ai mundohet ta vërtetojë “pastërtinë e tij”

“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shton ai.

Tutje ai paralajmëron ankesë dhe padi për shpifje.

“Me krimin dhe korrupsionin që e kemi hasur në këtë ministri, kemi pritur sulme të tilla.  Luftën me krimin e organizuar nuk e kemi menduar asnjëherë të lehtë. Sa me madhe lufta jonë, aq i madh sikleti i tyre. Mbi këto shpifje dhe të pavërteta nga nesër do të merrem me përgatitjen e ankesës dhe padisë për shpifje.”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)