100 ditë luftë në Ukrainë, pasojat shkuan deri në vendet me mijëra kilomentra larg

  • E.K /
  • 02 June 2022 - 10:13
100 ditë luftë në Ukrainë, pasojat shkuan deri në vendet me mijëra kilomentra larg

Në Ukrainë po luftohet tash e 100 ditë. Putini vazhdon ta mbajë ushtrinë e tij në një luftë në vendin fqinj, që priste të ishte më e shpejtë dhe më e lehtë për Rusinë.

Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi një operacion special ushtarak në rajonin ukrainas të Donbasit në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit dhe i bëri thirrje ushtrisë ukrainase t’i ulë armët e të shkojë në shtëpi. Paraprakisht, Rusia kishte grumbulluar ushtarët pranë shtetit fqinj, duke mohuar se po planifikonte ndonjë pushtim.

“Populli i Republikave në Donbas kërkoi ndihmën e Rusisë. Në lidhje me këtë, sipas artikullit të 51, pjesa 7 e kapitullit të Kombeve të Bashkuara, me aprovimin e Këshillit të Federatës Ruse dhe në bashkëpunim me miqësinë dhe marrëveshjet e përbashkëta me Republikën Popullore të Donetsk dhe Republikën Popullore të Luhansk, të ratifikuar nga Parlamenti rus më 22 shkurt, vendosa të urdhëroj një operacion special ushtarak. Operacioni synon të mbrojë njerëzit që kanë qenë në qendër të gjenocidit nga regjimi i Kievit, për 8 vite. Për këtë arsye, ne do të nisim demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës dhe do të vendosim drejtësi ndaj atyre që kanë kryer krime lufte ndaj civilëve, përfshirë këtu edhe qytetarëve rusë”.

Vladimir Putin, Moskë, 24 shkurt 2022

Janë bërë 100 ditë prej kur Rusia nuk u mundua më ta fshihte planin e saj që po dukej në vepra. Megjithatë, ekspertët dhe liderët e shteteve të fuqishme kishin pritur një pushtim të shpejtë të Ukrainës. Nuk ndodhi kështu. Rusisë i dështuan edhe përpjekjet për ta vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për ta zëvendësuar qeverinë e tij me një tjetër që i nënshtrohet krejtësisht Moskës.

Lufta po vazhdon. Putini, megjithatë ka mbetur i zhgënjyer. Priste një luftë të shpejtë, të lehtë dhe me pak rezistencë nga Ukraina dhe Perëndimi, sikur kishte ndodhur në vitin 2014, kur Rusia e kishte pushtuar Krimenë.

Perëndimi e ka sanksionuar Rusinë. Kush nuk e bën këtë, paralajmërohet se do të ketë probleme. Në anën tjetër, lufta bëri që Suedia dhe Finlanda të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Çmimet e karburanteve e të produkteve ushqimore u rritën në vendet me mijëra kilomentra larg luftës. Lufta e bëri të veten.

Sansionet e Perëndimit mbi korporatat dhe sistemin financiar rus nxitën një luftë ekonomike mes Kremlinit dhe disa shteteve europiane që furnizohen direkt nga Rusia me gaz natyror.

Nga mëngjesi i atij 24 shkurti, mijëra persona, personel ushtarak nga të dy palët, janë raportuar të vrarë nga luftimet, edhe pse shifra të sakta nuk dihen ende. Vetë autoritetet ukrainase raportojnë për mbi 3 mijë civilë të vrarë nga radhët e saj.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 12 milionë persona janë detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre, 6,5 milionë janë zhvendosur në një strehim ende brenda Ukrainës, ndërsa 5,6 milionë të tjerë janë larguar nga vendi, drejt fqinjëve të tyre, që kanë hapur dyert për t’i pritur, kryesisht Polonia.

Pak ditë pasi nisi luftën, Putin dha urdhër që ushtria t’i vendosë forcat parandaluese një njësi ushtarake që përfshin edhe armët nukleare, në gjendje gatishmërie, duke cituar deklaratat e ashpra të bëra nga liderët e NATO-s dhe menjëherë pas sanksioneve të para ekonomike ndaj Moskës.

“Të dashur kolegë, siç mund ta shihni, vendet perëndimore, jo vetëm që ndërmorën masa aspak miqësore ndaj vendit tonë, masa të karakterit ekonomik dhe këtu flas për sanksione ilegale që secili prej nesh i njeh shumë mirë, por vetë NATO po lejon deklarata agresive, përmes liderëve të aleancës, në lidhje me vendin tonë. Ndaj kjo është arsyeja përse unë po urdhëroj ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, të vendosë forcat parandaluese ruse në gjendje gatishmërie”

Vladimir Putin, Moskë, 27 shkurt 2022

Ndërsa qeveritë perëndimore dhe agjencitë e huaja të inteligjencës thonin se ushtria ruse po i shfaqte problemet e para dhe se Rusia po haste në një gozhdë që s’e kishte menduar kaq të fortë, Putin më 3 mars tha se operacioni special ushtarak, siç i thotë ai kësaj lufte, po shkonte sipas planit.

Disa negociata nisin mes dy palëve, por pa ndonjë sukses. E pësuan civilët, që përkundër disa marrëveshjeve për korridoret humanitare, u vranë në përpjekje për të shpëtuar.

Nga mesi i marsit, nga Rusia u tha se “ka disa arritje pozitive” nga negociatat. Putin thoshte se Rusia ishte gati të diskutonte në takime për statusin neutral të Ukrainës, me synim për t’i dhënë fund luftimeve në terren, me Moskën që fillimisht do të duhej të arrinte qëllimet e saj nga “operacioni ushtarak”, për të cilin përsëri disa herë se po shkonte sipas planit.

Pak pasi nga fundi i marsit Putini tha se Rusia ka vendosur t’iu shesë gaz vendeve “jomiqësore” vetëm në monedhën rubël, ai tha se bisedimet e paqes me Ukrainën po shkonin drejt një pike të vdekur.

Më 23 mars, Putin tha se Rusia do të nisë menjëherë ti shesë gaz vendeve “jo-miqësore” vetëm në monedhën rubël, pas ngrirjes së aseteve ruse nga kombet e huaja, duke thyer kështu besimin e Moskës zyrtare. “Vendosa të ndërmarra aksione sa më shpejt të jetë e mundur, për të ndryshuar mënyrën e pagesës për gazin tonë natyror, do ta nisim duke i shitur gazin tonë vendeve jo-miqësore, vetëm në rublën ruse”.

Pas kësaj, një masakër në Buchan afër Kyivit do të shkaktonte një valë tjetër të reagimeve të ashpra nga Perëndimi. Ukraina e akuzoi Rusinë për gjenocid, duke publikuar pamje të civilëve të vrarë, shtëpive të shkatërruara e qyteteve të shndërruar në rrënoja.

Presidenti amerikan, Joe Biden e akuzoi direkt homologun e tij rus për krime lufte.

As negociatat e zhvendosura në “online” nuk po kryenin punë. Në një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, Putin i qiti disa kushte. Paralajmëroi se marrëveshjet e sigurisë nuk do të firmoseshin prej tij deri kur “çështjet territoriale” të zgjidheshin. I referohej gadishullit të Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014 dhe rajonit të Donbasit, pavarësinë e të cilit Moska e shpalli pak ditë përpara se të niste operacionin special ushtarak në Ukrainë.

SHBA-ja ndërkohë, vazhdon t’i dërgojë ndihmë ushtarake Ukrainës. Së fundmi, SHBA-ja planifikon t’ia dërgojnë Ukrainës katër sisteme raketore të sofistikuara me rreze të mesme dhe municione për ta ndihmuar në përpjekjen e saj për ta penguar përparimin rus në rajonin e Donbasit.

Kjo e nxiti reagimin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai tha se kjo e rrit rrezikun që një “vend i tretë” të futet në konflikt. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, tha se “Shtetet e Bashkuara me qëllim po i hedhin benzinë zjarrit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi se Ukraina ka dhënë “garanci” se nuk do t’i përdorë sistemet e armëve me rreze të gjatë të ofruara nga Uashingtoni kundër objektivave në territorin rus.

Ndërsa kjo diskutohet, përmasat e pasojave të luftës vazhdojnë e janë në rritje. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, pranoi se deri në 100 viktima dhe 500 të plagosur çdo ditë janë nga ushtria ukrainase.

Situata më e vështirë është në lindje të Ukrainës dhe në jug të Donetskut dhe Luhanskut, tha Zelenskiy në një intervistë për kanalin televiziv amerikan Neësmax.

(Kosova Sot Online)