Tre gazetarë ukrainas, mes brengës për fatin e vendit të tyre dhe “jetës së re” në Kosovë

  • E.K /
  • 04 June 2022 - 11:06
Tre gazetarë ukrainas, mes brengës për fatin e vendit të tyre dhe “jetës së re” në Kosovë

“Ukraina në ditët e sotme është mur dhe luftëtare për mbrojtjen e demokracisë në të gjithë Evropën”, thotë Serhii Shevchenko

Tre gazetarë ukrainas që tashmë janë strehuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pas largimit nga Ukraina e cila ndodhet ende në luftë, po e vazhdojnë jetën e tyre “të re” midis adaptimit në kryeqytetin kosovar dhe brengës së vazhdueshme për fatin e vendit të tyre, shkruan Anadolu Agency (AA).

Lyudmila Makey, e cila erdhi e para në Kosovë, më 17 prill, si dhe Serhii Shevchenko me Liudmyla Mekhin, të cilët janë bashkëshortë dhe erdhën më 22 maj, zgjodhën Kosovën për shkak të kushteve të ofruara për ta vijuar punën e tyre si gazetarë, duke shkruar artikuj për luftën e Ukrainës nga hapësirat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), në Prishtinë.

Image

Përpos vendit të punës, Qeveria e Kosovës u ka siguruar atyre edhe vendbanimet dhe nga një pagë prej 500 eurove, ndërsa kushte të tilla ka rezervuar për gjithsej 20 gazetarë me një fond të ndarë prej 150 mijë eurove për një periudhë deri në gjashtë muaj.

Fytyrat e tyre janë të buzëqeshura, ngase vijnë nga sheshet e Prishtinës ku njoftuan njerëz të ri e patën rastin që për pak “ta harrojnë” tmerrin e luftës në vendin e tyre.

Por, kur pyetet për momentin më të vështirë që kanë përjetuar dhe parë nga lufta më e re në Evropë, Lyudmila Makey, e cila shkruan për faqen në internet të Unionit të Gazetarëve të Ukrainës, përmend ditën e parë të kësaj lufte.

Image

Makey, e cila erdhi në Kosovë direkt nga Ukraina, thotë se edhe tani kur ndodhet në një vend më të sigurt, ka frikë çdo mëngjes t’i hapë mjetet e informimit për të lexuar aktualitetin në vendin e saj.

“Nuk e harroj kurrë mëngjesin e 24 shkurtit kur dëgjova jashtë dritares zërin nga raketat. Ishte ora 5 e mëngjesit kur të gjithë ishin në gjumë dhe nuk i harroj kurrë sytë e qenit tim që ishte trishtuar nga alarmi i bombardimeve. Familja ime është shumë e shkatërruar psiqikisht nga kjo luftë dhe anëtarët e familjes time janë jo vetëm në Ukrainë, por ata ndodhen edhe në Sllovaki, Gjermani dhe jemi në kontakt për çdo ditë. Lajmi kryesor është të dëgjoj që janë mirë, por nuk është e sigurt asnjëherë sepse çdo ditë populli im po bombardohet, po robërohet dhe mbi të po ushtrohet dhunë fizike e seksuale”, thotë Makey, e cila i ka vajzat e saj ende në Ukrainë.

Çifti gazetar ukrainas në mesin e atyre që u strehuan në Kosovë

Liudmyla Mekhin erdhi në Kosovë bashkë me bashkëshortin e saj, Shevchenkon, pas një kohe të qëndrimit në Finlandë, atje ku qëndron vajza e tyre, ndërsa thotë se në Kiev ata vazhdojnë ta kenë ende djalin e tyre i cili i është bashkëngjitur ushtrisë ukrainase.

Image

Ajo thotë se çdo ditë ende vazhdon të qëndrojnë në profesionin e gazetares, ngase ndërmjet kolegëve shkëmbejnë dhe shpërndajnë informacione mbi aktualitetin në Ukrainë.

“Në Kiev ne ende e kemi djalin tonë dhe normalisht ne kontaktojmë çdo ditë me të. Ne si gazetarë profesional jemi mësuar të kemi çdo ditë ndonjë informacion të vërtetë dhe shpërndajmë informacionet me njëri-tjetrin. Kështu që, ne jemi gjithmonë aktivë. Nëpërmjet mediave të besueshme ne marrim informacionet e vërteta dhe të freskëta nga presidenti Zelenskyy, nga fronti i betejës dhe nga ushtria”, thekson Mekhin.

Ata thanë se shteti tyre, me t’u larguar edhe ushtari i fundit rus nga aty, do të ketë punë me rindërtimin e vendit, ndërsa Ukraina meriton ta ketë vendin e vet në Bashkimin Evropian dhe këtu dëshmi është përkrahja e Ukrainës nga e gjithë bota.

Gazetarët ukrainas kanë ardhur në Prishtinë përmes programit “Gazetarët në Rezidencë’’, ndërmjetësuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkërendim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra.

(Kosova Sot Online)