Tundimi i zyrtarëve të shtetit nga patundshmëritë – çfarë prona deklaruan?

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 09:21
Tundimi i zyrtarëve të shtetit nga patundshmëritë – çfarë prona deklaruan?

Pasuria e zyrtarëve të lartë të shtetit po del të jetë e fokusuar kryesisht në patundshmëri. Shumica e tyre invesimet kryesore i kanë në shtëpi, banesa e toka. Kryeministri Albin Kurti s’ka shtëpi të veten e banon me qira, derisa një ministër i tij ka tri shtëpi, vetëm një prej të cilave kushton 1 milion e 500 mijë euro. Shtëpi që kushtojnë shtrenjtë kanë deklaruar edhe ministrat e tjerë.

Po ta shikosh deklarimin e sivjetshëm të pasurisë së zyrtarëve të shtetit, krijohet bindja se gjithë paratë që u bien në duar i çojnë në patundshmëri.

Shumica e tyre hyjnë edhe borxheve për të ndërtuar e blerë banesa apo shtëpi.

Por, ka edhe të tjerë që ia kanë dalë të blejnë shtëpi nga të ardhurat, madje në vlerë mbi 1 milion euro.

Media ju sjell një përmbledhje të pasurisë që deklaruan zyrtarët e shtetit? Çfarë patundshmërishë kanë? Sa u kushtojnë dhe si ia dolën t’i blejnë?

E fillojmë me të parën e Shtetit. Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar si patundshmëri një banesë me garazhë në vlerë prej 42 mijë e 500 euro.

Këtë banesë, Osmani thotë ta ketë bërë me kursime e kredi në vitin 2010. Sipërfaqja e saj është 83.51 metër katror, por shton se ende s’i ka kaluar në pronësi.

Tek pasuritë e paluajtshme, Osmani ka deklaruar edhe një parcelë toke në vlerë 35 mijë euro, që ka sipërfaqe 5.10 ari. Vëmendje te deklarimi i saj ka marrë edhe “banim në varg”, që po planifikon ta ndërtojë Osmani. Vlerën s’ia ka caktuar, duke thënë se ende është në ndërtim të vrazhdë.

Paratë për realizim thotë t’i ketë siguruar nga kursimet.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj ka një banesë me garazhë në vlerë 70 mijë euro dy shtëpi që bashkë kushtojnë 300 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, Osmani s’ka deklaruar asgjë.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Kryeministri Albin Kurti s’ka deklaruar asnjë patundshmëri në emër të tij. Ai banon në një shtëpi me qira, për të cilën ka thënë se paguan 250 euro në muaj.

“Banoj në shtëpi me qira, sipas kontratës të lidhur me qiradhënësin B.Z. ,në afat prej 3 vitesh me mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej 3 vite me kushte të njëjta siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është në shumëprej 250e në muaj”, ka shkruar Kurti në fund të formularit të pasurisë.

Aty ka përmendur apartmentin e bashkëshortes së tij, që kushton 400 mijë euro. Për këtë apartment, Kurti ka deklaruar se bashkëshortja është në kredi në vlerë 290 mijë euro.

Kurti s’ka as pasuri të luajtshme.

“Merakli” i patundshmërive po del të jetë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Vjet ai deklaruar se ka blerë një banesë të re, në vlerë 44 mijë euro. Paratë për këtë banesë ka thënë se i ka marrë nga kursimet dhe kredia.

Konjufca ka edhe një banesë tjetër me sipërfaqe 99 metra katrorë. Këtë banesë që kushton 89 mijë e 100 euro, ai ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2018, me kredi dhe kursime.

Tek patundshmëritë, Konjufca ka deklaruar edhe shtëpinë banesën e babait në vlerë 92 mijë euro dhe një shtëpi vikendi me tokë në vlerë 70 mijë euro, që thotë se e kanë në pronësi të përbashkët.

As Konjufca s’ka pasuri të luajtshme.

Në patundshmëri po del të ketë investuar edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

I njëjti rreth dy javë më parë thoshte se nuk e i kujtohet saktë se sa ka qenë vlera e banesave, të blera në lagjen e konsideruar si luksoze në Prishtinë.

“Kur e kemi marrë banesën në fillim ka kushtuar shumë më lirë në fillim. Këtë tjetrën ka qenë shumë më shtrenjtë. S’më kujtohet saktë“, ka thënë Ministri në “Pressing”. 

Në deklarimin e dorëzuar ë Agjencinë Kundër Korrupsionit, në mars të këtij viti, te detyrimet, Aliu i ka deklaruar dy banesat e tij.

Për njërën banesë, që është 111.7 metra katrorë bashkë me tarracë, ministri ka deklaruar se i ka borxh 23 mijë euro. Ndërsa, për tjetrën, që është e madhësisë pothuajse të njëjtë, ka deklaruar se i ka borxh 58 mijë euro.

Përveç këtye banesave, Aliu ka deklaruar se ka në pronësi një tokë bujqësorë që e ka trashëguar në vlerë 15 mijë euro, derisa bashkëshortja e tij ka një banesë me garazh në vlerë 85 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, Aliu ka deklaruar veturën e tij BMW. Thotë se e ka blerë vjet me kredi, e që vlera e saj është 6 mijë e 500 euro.

Pasurinë më të madhe e ka në patundshmëri edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ai ka deklaruar një shtëpi 300 metra katrorë, që kushton 600 mijë euro. Përveç shtëpisë, ai ka deklaruar edhe një local afarist 650 mijë euro. Për të dy këto patundshmëri, Sveçla ka thënë se janë të trashëguara nga prindi dhe se pronësia mbi to është e përbashkët.

I pari i MPB’së ka deklaruar një veturë të bashkëshortes te pasuritë e luajtshme.

Këtë veturë thotë ta ketë blerë me kredi në vitin 2016.

Shtëpi në vlerë marramendëve ka edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Sipërfaqja e saj është 204 metra katrorë, e sipas Mehajt kushton gjysmë milioni euro. Këtë shtëpi, Mehaj e ka blerë në vitin 2014.

Përveç shtëpisë, Mehaj ka deklaruar si pasuri të paluajtshme edhe një shtëpi me oborr në vlerë 100 mijë euro, dy banesa që bashkë kushtojnë 87 mijë euro dhe një tokë dhe shtëpi tjetër në vlerë 120 mijë euro. Këto patundshmëri janë të babait të tij.

Një veturë të bashkëshortes në vlerë 2 mijë euro, Mehaj e ka deklaruar si pasuri të luajtshme.

Një ministër tjetër të Qeverisë Kurti, milioner e bënë vetëm banesa.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka deklaruar se ka një shtëpi që kushton 1 milion e 500 mijë euro, që thotë se e ka blerë nga të ardhurat.

Ai ka edhe dy shtëpi pushimi. Njëra kushton 600 mijë euro, e tjetra 450 mijë. Latifi ka edhe një banesë që kushton 130 mijë euro dhe një tokë, vlera e së cilës sillet 30 mijë euro.

Latifi ka edhe katër vetura. Njëra kushton 28 mijë euro, dy kushtojnë nga 30 mijë euro dhe e fundit 50 mijë.

Edhe Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka ka deklaruar dy shtëpi. Njëra kushton 150 mijë euro që e ka në pronësi vetë, e tjetra 35 mijë dhe është në pronësi të bashkëshortes.

Pasuri të luajtshme, Damka s’ka deklaruar.

Shtëpi në emër të saj s’ka, por Ministrja Albulena Haxhiu e ka deklaruar te patundshmëritë banesën dhe tokën e bashkëshortit.

Banesa është 82 metra katrorë dhe kushton 60 mijë euro, kurse toka 6 ari, vlera e së cilës është 15 mijë euro.

Haxhiu ka deklaruar si pasuri të luajtshme një veturë në vlerë gati 10 mijë euro, në pronësi të përbashkët.

Në patundshmëri ka investuar edhe familja e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Ai ka deklaruar një banesë në vlerë 67 mijë e 500 euro, një shtëpi që kushton 40 mijë euro dhe dy toka. Njëra në vlerë 250 mijë euro, e tjetra 21 mijë euro. Të gjitha këto pasuri të paluajtshme, Peci i ka deklaruar në pronësi të përbashkët.

Tek të luajtshmet, Peci ka deklaruar veturën e tij në vlerë prej 11 mijë euro. Thotë ta ketë blerë në vitin 2018.

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka deklaruar banesën e përbashkët, që ka sipërfaqe 84 metra katrorë.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Nagavci ka thënë se vlera e kësaj banese është 70 mijë euro dhe se e kanë blerë me kredi nga shitja e shtëpisë.

E si pasuri të luajtshme, ministrja e ka deklaruar veturën e saj në vlerë 18 mijë euro. Ka thënë se e ka blerë me kredi.

(Kosova Sot Online)