Lexoni edhe:
Qeveria të kërkon llogari kolektive dhe individuale nga KGJK-ja për zvarritjen e qëllimshme të funksionalizimit të Gjykatës Komerciale
Kryeministri i Shqipëruisë, Edi Rama, e ka bërë pjesë të rëndësishme të vizitës së tij në Ukrainë kërkesën që ky shtet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Pasi në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i tha atij se Ukraina duhet ta njohë Kosovën, edhe më qartë ia tha këtë në takim kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal.
“Po kështu do të doja t’ju kujtoja për faktin se ka edhe një vend tjetër në Ballkanin Perëndimor – janë 6 vende – i cili nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, Kosova, që qysh prej ditës së parë vendosmërisht pranë Ukrainës. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thash edhe gjatë konferencës së shtypit, e thash edhe publikisht që ju ta rikonsideroni njohjen e Kosovës pasi ata njerëz e meritojnë”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar tha se Kosova “nuk mbeti peng e së shkuarës” që të kujtojë qëndrimin e Ukrainës gjatë luftës në Kosovë. Rama kujtoi se Kosova doli krah Ukrainës.
“Ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme, sepse nuk mbetën peng i së shkuarës për të kujtuar se si Ukraina u soll aso kohe kur Kosova sulmohej. Por qëndruan për atë çfarë besonin për Ukrainën. Kështu që kjo do të ishte mirë që Ukraina ta rikonsideronte e të përçonte mesazhin e duhur në emër të komunitetit të ri politik europian që duam ta ndërtojmë së bashku”, tha Rama.
(Kosova Sot Online)