Takimi pa marrëveshje, Kryeministria tregon çfarë u tha Kurti veteranëve

  • E.K /
  • 17 June 2022 - 14:22
Takimi pa marrëveshje, Kryeministria tregon çfarë u tha Kurti veteranëve

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në kryeministri përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për kërkesat e tyre të shpalosura edhe në protestën e djeshme, e që ka të bëjë me përfshirjen në projektligjin për pagën minimale.

Në këtë takim që ka përfunduar pa marrëveshje, nga Zyra për Media e Qeverisë tregojnë se Kurti ka kërkuar bashkëpunim me OVL UÇK-në për përmirësimin e mirëqenies së veteranëve dhe ka përmendur edhe çështjen e pastrimit të listave.

“U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.

(Kosova Sot Online)