Tash do ta kenë “Elektrosever’in”, a do të binden serbët në Veri ta paguajnë rrymën?

  • E.K /
  • 21 June 2022 - 12:01
Tash do ta kenë “Elektrosever’in”, a do të binden serbët në Veri ta paguajnë rrymën?

Faturat e rrymës serbëve në veri do t’ua shpërndajë kompania Elektrosever e cila do të licensohet nga ZRrE-ja. Kosova dhe Serbia ranë dakord sot në Bruksel për Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.

Në pikën 3 të këtij Udhërrëfyesi parashihet që 10 ditë pasi ZRrE-ja ta licencojë Elektroseverin, kjo kompani të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in që parasheh shërbimet e distribuimit(faturimin, inkasimin, Mirëmbajtjen dhe Kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Por sipas Udhërrëfyesit të nënshkruar sot, nëse pas 100 ditëve, nuk zbatohen dispozitat për të cilat është rënë dakord, ZRrE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën për Elektrosever.

“Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspertize, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”, thuhet në Udhërrëfyesin e publikuar nga Emisari i BE-së, Lajçak.

Serbët në katër komunat veriore nuk e kanë paguar rrymën që e kanë shpenzuar që nga viti 1999.

Qeveria e Albin Kurtit përkundër deklaratave se s’do ta paguajë rrymën e shpenzuar nga serbët në veri, vitin e kaluar ndau 17.7 milionë euro për 4 komunat veriore që s’kanë paguar për energjinë e shfrytëzuar.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore.

(Kosova Sot Online)