Osmani në Bruksel për takimin BE-Ballkani Perëndimor, do të kërkojë liberalizimin e vizave

  • E.K /
  • 22 June 2022 - 11:55
Osmani në Bruksel për takimin BE-Ballkani Perëndimor, do të kërkojë liberalizimin e vizave

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, me ftesë të presidentit të Këshillit Europian, Chrles Michel.

Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera pritet të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

“Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës”, njofton Presidenca.

Osmani të martën e ka dhënë një intervistë për mediumin holandez NRC, ku mes tjerash ka folur edhe për pjesëmarrjen e saj në Samitin e BE-së në Bruksel.

Ajo tha se nuk ka pritje të mëdha se kosovarëve do t’u hiqen vizat, por tha se shpreson që kjo do të ndodhë më në fund.

(Kosova Sot Online)