Kurti tregon 24 vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të qeverisë

  • A.P /
  • 22 June 2022 - 20:10
Kurti tregon 24 vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditura 24 vendimet që sot janë marrë në mbledhjen e 84-të të qeverisë së tij.

Ai tha, se në për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, miratuan udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës, ku sipas tij, nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit.

Tutje, kreu i qeverisë tha se rialokuan 3 milionë euro për 25 projekte në komuna, teksa shtoi se në kuadër të reformës së drejtësisë, miratuan koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit dhe gjithashtu është miratuar dhënia në shfrytëzim pasuria e konfiskuar për nevoja të institucioneve.

“Për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete”.

“Për parandalimin e trafikimit me njerëz, miratuam Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024”.

“I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak”, ka shkruar Kurti.

Më tej, i pari i qeverisë bëri të ditur se në mbledhjen e sotme është miratuar edhe hartimi i Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.

Në këtë mbledhje, u miratua edhe shpronësimi i pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës, me qëllim të realizmit të projekteve infrastrukturore të ministrisë së Mbrojtjes.

“Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane”.

“Për zgjerimin e  bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA”, ka shkruar Kurti.

(Kosova Sot Online)