Jetë e shtrenjtë, përplasja Kurti-Opozita: “Inflacionin nuk ua solla unë” – “Ne kemi punë me ty”

  • E.K /
  • 30 June 2022 - 15:31
Jetë e shtrenjtë, përplasja Kurti-Opozita: “Inflacionin nuk ua solla unë” – “Ne kemi punë me ty”

Inflacioni në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tashmë është dyshifror. E më së shumti janë shtrenjtuar çmimet për produktet bazë.

Pikërisht për këtë temë opozita të enjten ka ftuar debat parlamentar ku i pranishëm ishte edhe kreu i ekzekutivit Albin Kurti.

Ai ka thënë se “inflacioni është i importuar”, sipas tij “Qeveria s’mund të bëjë diçka kur kemi të bëjmë me zhinxhire të furnizimit me produkte”.

“Si Qeveri jemi përpjekur të ulim tensionet inflacionare, kemi mbështetur kategoritë e veçanta që kanë nevojë, si dhe jemi marrë me tregtarët spekulantë”, të cilët sipas Kurtit “e kanë shtetëzuar krizën për të manipuluar me çmime’.

E për manipulim opozita është duke e kritikuar Kurtin. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se s’ka nevojë të komplikohen gjërat kur janë të thjeshta.

“Zbritne TVSH-në për produktet bazë e largone ose zbritne akcizën për karburantet”, ka sugjeruar Abdixhiku.

Kreu i LDK’së tha se “inflacioni vjen nga Putini, por që ata kanë punë me Kurtin”.

Por sipas Kurtit, këto ide janë pa vizion: “Shumë shtete që i kanë larguar akcizat janë penduar”.

“Çfarë të bëjmë pas gjashtë muajve kur dëmtohet buxheti i Kosovës”, ka thënë Kurti. “Tash qytetarët paguajnë tatim sepse qeveria jonë nuk vjedhë, si qeveritë e kaluara”.

15 milionë euro shteti i ka fituar më shumë prej akcizës, ka thënë Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transferit.

“Këto të ardhur janë prej shtrenjtimit të çmimeve, pasi importi s’është rritur”, i ka thënë Avdullah Hoti, ish-ministër i Financave.

Por Murati tha se qytetarët fitojnë shumë pak nëse pranohen propozimet e opozitës.

“Një familje që blen 100 euro produkte do të përfitonte 10 euro e prej karburanteve 6.50”, ka thënë Murait.

Ka shtuar se politika e ekzekutivit për dhënien e 100 eurove ka më e mirë dhe nuk mund të arrihet prej propozimeve të opozitës.

“Po qeveria nuk është veç me i shpërnda taksat që mblidhen. Është shumë më shumë o kryeministër”, ka thënë më pas Abelard Tahiri, shef politik i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai ka thënë se qeveria e Kosovës nuk po vepron, njëjtë kolegja e tij në parti Blerta Deliu ka deklaruar se “qeveria është spektatore”.

Por kryeministri Kurti ka vazhduar në atë se “disa kategori për herë të parë e kanë përjetuar dorën e shëtit”, specifikisht për gratë lehona dhe fëmijët.

Por në aspektin ekonomik ka zhvillime të tjera. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar që “përmes një projektligji të vendoset për marzhën e fitimit”.

Kjo është kundërshtuar nga kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i cili e ka cilësuar propozimin si antikushtetues.

Sipas nenit 10 të Kushtetutës së Kosovës, paragrafi nr 10, Kosova definohet si ekonomi e tregut të lirë.

E tash vendi po përballet me krizë sociale. Çmimet janë rritur, ndërkohë Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se “mund të ketë krizë ushqimore”. 

(Kosova Sot Online)