Osmani pret në takim përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s, shpreh vendosmëri për anëtarësim

  • A.P /
  • 07 July 2022 - 21:06
Osmani pret në takim përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s, shpreh vendosmëri për anëtarësim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s në Këshillin Veri-Atlantik, të cilët gjenden për një vizitë në Kosovës. Ajo, ka thënë para tyre se bashkë me zv.kryeministren Donika Gërvalla kanë ritheksuar përcaktimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Ju shpreha mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm, duke nënvizuar se uniteti transatlantik është i domosdoshëm për ta garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë kundër qëllimeve dashakeqe të Rusisë dhe satelitëve të saj. Gjithashtu, së bashku me zv.kryeministren Gërvalla, ritheksuam përcaktimin strategjik të shtetit dhe popullit tonë për anëtarësim në NATO, duke filluar me pjesëmarrjen në Programin e Partneritetit për Paqe”, ka njoftuar Presidentja.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme ta japë kontributin e saj për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

“Në këtë drejtim, do ta shtojmë e thellojmë bashkëpunimin dhe koordinimin me shtetet aleate dhe me NATO-n”, ka shkruar ajo në fund.

 

(Kosova Sot Online)