Detaje të reja për vdekjen e policit që u godit teksa po kalonte rrugën

  • A.P /
  • 29 June 2026 - 12:45
Detaje të reja për vdekjen e policit që u godit teksa po kalonte rrugën

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik në të cilin humbi jetën një zyrtar policor në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, në Komunën e Prizrenit.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 29 qershorit 2026, rreth orës 02:30. Viktima është zyrtari policor me inicialet R.G., 59 vjeç, i cili ishte i angazhuar në detyrë në pikën kufitare në Vërmicë.

“Në momentin e aksidentit, zyrtari policor ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar dhe, në një moment, kishte tentuar të kalonte rrugën. Në atë çast, një automjet që po lëvizte në drejtimin Prizren–Vërmicë e ka goditur me pjesën e përparme, pasi, sipas policisë, drejtuesi nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e goditjes, polici ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Në vendin e aksidentit kanë dalë prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren dhe ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, D.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Prizren për hetime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online)