Prokuroria: E dyshuar për vrasjen e të riut në Ferizaj është vajza që u ndalua bashkë me babain e saj
Një e dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, tha Prokuroria Themelore në këtë qytet.
Prokuroria njoftoi se është ndaluar edhe babai i saj “deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”.
“Ferizaj, 29 Qershor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më datën 28 qershor 2026, rreth orës 22:50, në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj, është pranuar informata se një person është gjetur pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale, tha Prokuroria.
“Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë, tha Prokuroria.
“Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)
