Çmenduria për një “selfie”/ U ngjit për të bërë foto, turisti amerikan rrëzohet brenda vullkanit Vezuv

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 09:04
Çmenduria për një “selfie”/ U ngjit për të bërë foto, turisti amerikan rrëzohet brenda vullkanit Vezuv

Të shumta janë historitë e veprimeve të çmendura nga disa njerëz vetëm për të bërë një “selfie” perfekte, të cilat shpesh kanë përfunduar dhe në fatalitete.

Së fundmi një turist amerikan shpëtoi vetëm lëndime të lehta pasi u rrëzua në kraterin e malit Vezuv, teksa po përpiqej të bënte foto me telefonin e tij.

Sipas "The Guardian", 23-vjeçari dhe familja e tij arritën majën 1,281 metra të lartë të vullkanit që ngrihet mbi qytetin jugor italian të Napolit, pasi anashkaluan një pikë kontrolli për vizitorët, që duhet t’i ndalojë ata t’i afrohen kraterit. Burri po bënte një selfie, sipas raporteve të shtypit lokal, kur telefoni i tij i rrëshqiti nga dora dhe ra në grykën e vullkanit. Më pas ai zbriti në krater në përpjekje për të marrë telefonin e tij, për t'u rrëzuar disa metra më poshtë pasi humbi ekuilibrin.

Pasi u shpëtua nga krateri, turisti dhe tre të afërmit e tij u përballen me akuza pasi u denoncuan nga policia për pushtim të tokës publike. Grupi, i cili thuhet se shkoi në vullkan pa biletë, mori një rrugë që ishte e shënuar qartë si e ndaluar për shkak se ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.

Në shtator 2017, një djalë 11-vjeçar dhe prindërit e tij vdiqën pasi ranë në kraterin e Solfatara di Pozzuoli, një nga 40 vullkanet në zonën Campi Flegrei në perëndim të Napolit. Djalit besohet se i kishte rënë të fikët për shkak të tymit të gazit përpara se të binte në krater. Prindërit e tij u përpoqën ta shpëtonin, por krateri u shemb.

Vezuvi, i cili shkatërroi qytetet e lashta romake të Pompeit dhe Herculaneum kur shpërtheu në 79 pas Krishtit, konsiderohet të jetë ndër vullkanet më të rrezikshëm në botë për shkak të afërsisë së tij me Napolin dhe qytetet e tjera aty pranë.

(Kosova Sot Online)