Pejani përzë gruan nga shtëpia dhe tenton t’ia marrë fëmijët, 27-vjeçarja e denoncon në Polici

  • G.G /
  • 13 July 2022 - 11:25
Pejani përzë gruan nga shtëpia dhe tenton t’ia marrë fëmijët, 27-vjeçarja e denoncon në Polici

Telashet në familjet kosovare shpesh herë kalojnë jashtë mureve të shtëpive, duke kërkuar kështu ndihmën e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet. Si pasojë e kësaj, çdo ditë denoncohen numër i madh i rasteve të dhunës në familje.

E një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën ‘Ahmet Gjikolli’ në Pejë, ku një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj.

Sinjali mëson që ajo ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin, ai i kishte kërkuar që të dilte nga shtëpia ku jetonin bashkë. Si rrjedhojë, 27-vjeçarja kishte dashur t’i marrë fëmijët e moshave 7 dhe 3-vjeçare me vete, por që nuk e kishte lejuar bashkëshorti i saj.

Për këtë ajo ka kërkuar ndihmë nga Policia, të cilët kanë shoqëruar në stacion të dyshuarin dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 29-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërkohë 27-vjeçarja ka marrë fëmijët dhe ka shkuar të jetojë në shtëpinë e prindërve të saj.

(Kosova Sot Online)