Qëndrimi i Kurtit në resortin luksoz, Kryeziu: Shpenzimet mbulohen nga organizatori

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 15:11
Qëndrimi i Kurtit në resortin luksoz, Kryeziu: Shpenzimet mbulohen nga organizatori

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti në Greqi mbulohet nga organizatori i simpoziumit ku ai është duke marrë pjesë.

Ai gjithashtu njoftoi se Kurti është duke qëndruar atje që nga data 5 korrik, derisa për simpoziumin tha se është i një rëndësie të madhe.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi nga data 5 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit. Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Sikur herëve të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka shkruar Kryeziu.

Vendi ku po qëndron Kurti është një resort luksoz në bregdet ku nata për një person kushton 400 euro.

Edicioni i sivjetmë i simpoziumit, sikurse edhe vitin e kaluar, po mbahet në “Grand Resort Lagonissi”, një resort superluksoz, që e konsideron veten si “pragu i parajsës”. Ky vend konsiderohet si një nga hotelet lidere në mbarë globin.

Simpoziumi nisi të dielën dhe do të mbahet deri të enjten (14 korrik).

Derisa edhe vjet, pas publikimit të vendit luksoz të simpoziumit, Kryeziu pati thënë se shpenzimet e Kurtit i pati mbuluar organizatori.

(Kosova Sot Online)