Kur çmimet janë rritur, ja vendi ku 1 litër birrë mund ta këmbesh me 1 litër vaj luledielli

  • E.K /
  • 18 July 2022 - 10:36
Kur çmimet janë rritur, ja vendi ku 1 litër birrë mund ta këmbesh me 1 litër vaj luledielli

Një pub në Mynih të Gjermanisë ka gjetur një mënyrë interesante për të tërhequr klientë e për të mos i zhvatur: në vend të parave, birrën mund ta paguash me një shishe vaj luledielli.

“Kështu dalim të gjithë të fituar”, thotë pronari i lokalit, “pasi mund të siguroj furnizimin e mjaftueshëm për të skuqur e pjekur mishin e salsiçet gjatë të gjithë vjeshtës e dimrit, sidomos gjatë Oktoberfestit”.

Me Rusinë e Ukrainën, që përllogariten në thuajse 80% të eksportit global të farës e vajit të lulediellit, shumë vende europiane, mes tyre edhe Gjermania, po mundohen të sigurojnë furnizimet, dyfish nga viti i shkuar, që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë në fund të shkurtit.

Menaxheri i lokalit thotë se ka gjetur këtë mënyrë interesante, për të mos u lodhur vetë duke gjurmuar marketet, në këmbim të një shishe vaj luledielli, ofron 1 litër birrë, në zgjedhje të lirë të vetë klientit.

Në Gjermani, javët e fundit, në raftet e supermarketeve ka pasur mungesa të shisheve me vaj luledielli dhe për dyqanet, furnizimi është i limituar, në vetëm 30 litra vaj në javë. Dhe llogaritë janë të thjeshta: në një pub një litër birrë kushton 7 euro ndërsa 1 shishe vaj luledielli, një litërshe, kushton 4,5 euro. Kështu, edhe klienti del me fitim.

(Kosova Sot Online)