Prisnin një “peshk të madh”: Çfarë e bën policinë të dyshojë për përfshirjen e “specialeve” në masakrën e Fushë-Krujës

  • S.A /
  • 18 July 2022 - 12:46
Prisnin një “peshk të madh”: Çfarë e bën policinë të dyshojë për përfshirjen e “specialeve” në masakrën e Fushë-Krujës

Policia është duke bërë verifikime në disa drejtime në lidhje me autorët dhe shkakun e atentatit të mirëorganizuar dje ndaj tre të rinjve mesditën e djeshme në mbikalimin e Fushë Krujës. Në atentat, ku sipas policisë të përfshirë ka qenë një “dorë e specializuar për qitje”, mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Pas rikthimit mëngjesin e sotëm në vendin e ngjarjes, policia ka filluar këqyrjen e kamerave të sigurisë së bizneseve të zonës nga Rinasi deri në vendin ku ndodhi atentati pasi dyshohet se ka qenë një makinë, e cila ka ndjekur viktimat në këtë itinerar duke dhënë informacion te autorët për vendndodhjen e tyre.

Policia ka arritur në konkluzionin se autorët kanë qenë mjaft të përgatitur dhe me njohuri të avancuara në drejtim të teknikës ushtarake dhe të përdorimit të armëve duke qenë edhe qitës profesionistë. Nga këqyrja e makinës së viktimave dhe vendit të ngjarja është konstatuar se nga të gjithë plumbat e derdhur në drejtim të tyre, vetëm njëri ka qenë jashtë objektivit, pra makinës. Ekspertët e policisë kanë konstatuar vetëm një plumb, i cili ka qenë jashtë objektivit dhe ka bërë rikoshetë në pjesën mbrojtëse të mbikalimit, vetëm pak centimetra në lartësi nga makina e viktimave.

Po ashtu, nga dëshmitë janë siguruar edhe detaje të veprimeve të autorëve, të cilët kanë dalë në mënyrë të sinkronizuar nga makina, ashtu siç veprojnë forcat speciale dhe kanë “mbaruar punë” brenda pak sekondash duke u zhdukur më pas. Ka të dhëna deri më tani që në atentat të jenë angazhuar të paktën dy makina, njëra e personave që i ndoqën dhe krijuan kushtet për autorët dhe tjetra e autorëve, të cilët më pas dogjën makinën e tyre dhe u larguan me të njëjtin automjet që ndoqi viktimat. Kjo bën që policia të arrijë në konkluzionin se atentati ishte mjaft i shtrenjtë dhe i mirëorganizuar duke bërë të dyshojnë se në fakt, autorët prisnin të godisnin një person me peshë më të madhe se sa tre të rinjtë, pavarësisht se Brilant Martinaj dyshohej për disa ngjarje kriminale.

Vepruan si komando

Mësohet se ndërkohë që njëra makinë i ndiqte viktimat nga pas në drejtimin Tiranë-Mamurras duke dhënë informacion për vendndodhjen e tyre te autorët, këta të fundit vinin përballë në drejtimin Mamurras-Tiranë. Sapo viktimat futen te mbikalimi i Fushë Krujës, përballë u del makina e autorëve, e cila në fillim u zë rrugën dhe më pas prej saj dalin në mënyrë të sinkronizuar tre autorët, të cilët të pajisur dy me kallashnikovë dhe njëri me automatik “MP5”, kanë derdhur rreth 90 plumba brenda pak sekondash në drejtim të tyre.

Pasi i ka shpëtuar goditjes së parë, nga dera e pasme e makinës del Diklen Vata, i cili ishte edhe në rolin e badigardit të Brilant Martinajt. Ai mundi të largohet vetëm pak metra nga makina, pasi autorët u kthyen dhe e qëlluan nga afër duke e lënë të vdekur në vend.

(Kosova Sot Online )